Kosovë

Kryeministri Kurti pranon dronët Bayraktar që Kosova i bleu nga Turqia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për blerjen e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia, por nuk ka treguar për numrin e tyre.

Me blerjen e dronëve, Kurti ka vlerësuar se Kosova tash është edhe më e sigurt.

Ai të dielën ka përgëzuar oficerët të cilët kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare! Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Blerja e dronëve Bayraktar nga Kosova është diskutuar që nga fundi i vitit të kaluar.

Serbia e pati paralajmëruar Turqinë se nëse i shet Kosovës dronët Bayraktar do të ndikonte në marrëdhëniet mes të dy shteteve.