Maqedoni

Konfiskohen një mitraloz dhe armë tjera, ishin nisur nga Shqipëria për në Maqedoni

Vihet në pranga një 40-vjeçar në Pogradec me precedent të mëparshëm penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, që posedonte arsenalin e armëve dhe municionit luftarak.

Njoftimi i plotë i policisë:

Pogradec/Sekuestrohet një arsenal armësh dhe municioni luftarak.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Starova”.

Operacioni, falë inteligjencës policore dhe bashkëpunimit me qytetarët, i zhvilluar pas hetimeve disajavore nga Komisariati i Policisë Pogradec, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Vihet në pranga një 40-vjeçar, me precedent të mëparshëm penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, që posedonte arsenalin e armëve dhe municionit luftarak.

Sekuestrohen një mitraloz i lehtë; një armë zjarri tip automatik; dy pushkë gjysmëautomatike; një sasi e konsiderueshme municioni luftarak; krëhëra të armëve të zjarrit; 1 gjerdan mitralozi me 30 fishekë; një granatë dore ofensive dhe pjesë të lëvizshme të pushkës, të cilat dyshohet se ky shtetas do t’i trafikonte në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, në vijim të kontrollit të territorit dhe punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të armëmbajtjes pa leje, pas hetimeve disajavore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Starova”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë i shtetasi:

– A. J., 40 vjeç, banues në fshatin Starovë, Pogradec, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe bashkëpunimit me qytetarët, se një shtetas posedonte në banesën e tij një arsenal armësh, shërbimet e Policisë organizuan veprimet dhe lokalizuan shtetasin A. J., në fshatin Starovë. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin e një stalle bagëtish, e cila ndodhej në afërsi të banesës së tij, u gjetën të fshehura:

Një mitraloz i lehtë; një armë zjarri tip automatik; dy pushkë gjysmëautomatike; një sasi e konsiderueshme municioni luftarak; krëhëra automatiku, pushke dhe mitralozi; 1 gjerdan mitralozi me 30 fishekë; një granatë dore ofensive; pjesë të lëvizshme të pushkës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi A. J., do të trafikonte arsenalin e armëve dhe municioneve luftarake, në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti të paligjshëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.