Maqedoni

Gjenocidi në Bosnjë mori edhe viktima shqiptare nga Maqedonia

Shkoi për “idare”, “tigrat” e Arkanit e kthyen në arkivol

E shkrepur në prill të vitit 1992 në Bjelinë, pak ditë pasi filloi lufta në Bosnjë. Kjo është fotografia e fundit ku shihet i gjallë Hajrush Ziberi nga Llaskarca e Shkupit, njofton KlanM.

Si i ri, kishte shkuar në Bjelinë për të fituar një kafshatë buke, por nuk u kthye më.

“Të dy vëllezërit shkuan. Ky shkoj për idare dhe shkoi për vëllain e tretë që ta ndihmojë të gjejë një vend pune… Njëri vëlla kur nisa lufta u kthye, shpëtoi dy ditë para se ta vranë vëllain tjetër. Ka qenë më 3 prill kur e kanë vra. Në shkurt shkoj, nuk i bëri as dy muaj e vranë”, rrëfen Asllan Ziberi.

Më 7 prill të vitit 1992, disa trupa të vrarë nga paramilitarët serb u sollën në Maqedoni, e familjes Ziberi u thanë se në mesin e tyre është edhe Hajrushi.

“Ne pritem që të vije kufoma, e kufoma na erdhi me 8 në Zhelinë e ne nuk e dinim… E kur na treguan në mëngjes dhe erdhi kufoma në ora 8:00 ose 9:00, mirëpo kufoma nuk ishte e vëllait”, thotë Ziberi.
Fatkeqësisht, trupi i 24 vjeçarit nuk ishte në mesin e trupave që erdhën në Maqedoni. Madje u kishin thënë se Hajrushi mund të jetë gjallë. Për 10 vite, sic njofton KlanM, edhe pse shpresa se një ditë Hajrush Ziberi do të vijë tek dera e shtëpisë po shuheshin, familja e afërt besonte se ai mund të jetë gjallë, derisa nuk iu erdhi një thirrje nga Kryqi i kuq.

“Sa vjet keni jetu me shpresë se është gjallë? Pas asaj 5 vjet… Kishte një xhup të lëkurës. Ka pasur tuta të veshura. Këmishën e kanë gjetur, rrypin dhe çorapet nuk janë të kalbur. Pas 12 vjetëve e varrosëm”, rrëfen për Klan M, Asllan Ziberi.
Edhe pas më shumë se 30 viteve, vëllai i Hajrushit, Asllan Ziberi, nuk e kupton se si është e mundur që Tribunali për krime të rënda ndaj njerëzimit, nuk e ka sanksionuar Serbinë.
“Reagimi nënës dihet, për çka ta vrasin? Nuk e dërgova në luftë por e dërgova për idare. Të ishte se shkoi në luftë dihej ajo, por shkoi për idare dhe i poshtri, serbi e ka bërë krimin dhe ende e bën”, thotë Asllan Ziberi. /KlanMacedonia