Maqedoni

Anketa e IRI-t, VMRO-ja me mbështetje më të madhe, Spasovski ministri më i mirë, Grubi më i keq

VMRO-DPMNE-ja vazhdon të mbajë më lart rejtingun e saj politik se sa partitë e tjera në vend. Në anketën e fundit të IRI-t të realizuar në periudhën prill-maj të këtij viti, 19% e të anketuarve kanë deklaruar se nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, do të kishin votuar për partinë e Mickoskit. Mbështetja për LSDM-në shënon ulje dhe tani është në 11%, BDI-ja do të merrte 8% të votave kurse Aleanca për Shqiptarët 5%. 15% e të anketuarve kanë deklaruar se nuk do të votonin kurse 18% janë të pavendosur.

Oliver Spasovski është i pari në listën e ministrave në pyetjen se cili ministër e bën më mirë punën, kurse Artan Grubi është i pari në listën e ministrave që sipas të anketuarve, nuk e bëjnë punën siç duhet.

Sipas rezultateve të kësaj ankete, vetëm 30% e qytetarëve pajtohen plotësisht ose deri diku me futjen e pakicës bullgare në Kushtetutë kurse 64% janë totalisht kundër ose deri diku kundër. 66% mendojnë se Bullgaria është kundërshtari kryesor i anëtarësimit të vendit në BE.

Por nga ana tjetër, mbështetja për integrimin e vendit në BE ka shënuar rritje. Edhe atë, 79% mbështesin integrimin e vendit në BE kurse 17% janë kundër.
Shumica e të anketuarve, edhe atë 25% e shohin Turqinë si vend që mbron më së shumti interesat nacionale të vendit dhe kjo shifër ka shënuar rritje të theksuar në tre vitet e fundit. Në vend të dytë është BE-ja, me 18% dhe në vend të tretë Gjermania, me 13%.
Në rrafsh lokal, problem më i madh që ka Shkupi, sipas të anketuarve, është transporti publik, planifikimi dhe zhvillimi urban si dhe siguria dhe krimi, dhe 53% e tyre mendojnë se kryetarja Danella Arsovska nuk e bën mirë punën që të rizgjidhet. Në nivel të të gjithë komunave, 38% e të anketuarve nuk janë të kënaqur me punën e krerëve të komunave, kurse 43% mendojnë se kreu i komunës së tyre e bën mirë punën.
Në këtë anketë qytetarët kanë pranuar se gjithmonë e më pak ndjekin lajme politike në bazë ditore por gjithsesi televizioni mbetet burimi përzgjedhja e parë për të ndjekur lajme për 73% prej tyre. Alsat është ndër mediat më të ndjekura për lajme politike, e katërta në listë, me 18%.