Ambasadori austriak me akuza për kompaninë e kusherirës së ish kryeministrit Zaev / Zaevi paralajmëron padi!
Përplasje flagrante mes ambasadorit austriak Georg Vuças dhe ish-kryeministrit Zoran Zaev. Në një komunikatë dërguar mediave, ambasadori Vuças thekson se një kompani austriake nuk mund ta marrë borxhin, përkatësisht dëmshpërblimin nga një komani vendore e familjes Zaev, në vlerë prej 4,5 milionë eurove, për çka, siç thekson, ekziston vendim për procedurë për arbitrazh ndërkombëtar, zbatimi i cili është bllokuar nga gjykatat.
“Veprimi në kohë është thelbësor për shkak se “Dena” nga vetë fillimi me mbështetje të kompanive motra dhe noterëve ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme që të ndalojë zbatimin e kërkesave. Mes tjerash, pjesën më të madhe të pronës ia ka transferuar “Global Trejd” Vallandovë, Global kompani është në pronësi të Emilia Zaeva Kostova, bashkëshortja e Atanas Kostov dhe kushërirë e ish-kryeministrit Zoran Zaev.”- deklaroi Georg Vucas, ambasador i austrisë në RMV.
Përplasja mes Vuças dhe Zaev ka ndodhur për shkak se ambasadori austriak e ka përmendur emrin e ish kryeministrit dhe se është në lidhje familjare me pronarët e kompanive të cilat, siç pohon, kanë bërë manipulime që të mos zbatohet pagesa. Për këtë Zaev paralajmëroi padi kundër Vuças.
“Distancohem plotësisht nga përfshirja ime në kontestin e përmendur afarist që udhëhiqet në gjykata. Unë mund vetëm që të bëjë apel deri te gjykatat dhe organet e drejtësisë, që të sjellin vetëm vendime ligjore dhe të mos lejojnë që askush të ndikojë në punën dhe vendimmarrjen e tyre. Përmendja e emrit tim në mënyrë të tillë do të thotë se do të duhet të shihemi në gjykatë me ambasadorin e Austrisë që të tregojë dhe dëshmojë çfarëdo përfshirje timen, në të kundërtën të më kërkojë falje publikisht, kompensim për dëmin për prishjen e nderit dhe imazhin.”- tha Zoran Zaev, ish-kryeministër.
Presidenti Stevo Pendarovski, vlerëson se ambasadori ka plotësisht të drejtë që të mbrojë interesat e kompanive austriake.
“Nuk bëhet fjalë për përzierje në punë të brendshme, bëhet fjalë për obligim legjitim të çdo ambasadori. Edhe ambasadorët tanë që janë jashtë vendit dhe përfaqësojnë shtetin tonë, kanë për obligim që të mbrojnë interesat e kompanive private dhe qytetarëve, jo vetëm të institucioneve shtetërore që përfaqësojnë. Pamë reagim gjatë ditës së djeshme nga ish-kryeministri i cili dërgoi apel për epilog institucional, kështu që pres që institucionet maqedonase të cilat janë kompetente për gjendjet e tilla të verifikojnë nëse me të vërtetë, ashtu siç pohon ambasadori, ka pasur mosrespektim të arbitrazhit ndërkombëtar.”- pohoi Stevo Pendarovski, president.
Në shkresën, ambasadori Vuças dërgoi akuza edhe deri te Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve për shkak të mosveprimit dhe kërkoi ndryshim të gjykatësve dhe prokurorëve. Për këtë reagoi Këshilli Gjyqësor.
“Në përmbajtjen e shkresës, ambasadori theksoi dyshime se kontesti udhëhiqet nën ndikime të jashtme. Informacionet e theksuara do të kontrollohen, me shqyrtim të menjëhershme të shkresave të lëndës, veprimet që kanë ndërmarrë gjykatat dhe eventualisht vendimet e marra. Pas vizitave dhe inspektimit, Këshilli Gjyqësor do të përgatisë raport, pas çka do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve konkrete për ndjekjen e rastit.”- reaguan nga Këshilli Gjyqësor.
Përndryshe, në këtë rast bëhet fjalë për kompaninë “Dena Produkt” e cila ka lidhur marrëveshje me kompaninë austriake “AMMA” për bashkëpunim për prodhimin dhe plasimin e trangujve në Austri. Por pasi u zbulua se kompania e vendit shiste edhe në tregun gjerman, është ngritur kontest në një gjykatë ndërkombëtare të arbitrazhit në Vjenë. Ndërkaq, kompania “Dena Product” i ka transferuar një pjesë të madhe të pronës së saj kompanisë “Global Trade”.