May 9, 2024
Maqedoni

KOMPANIA NGA SLLOVENIA DO TË PASTROJË TETOVËN NGA MBETURINAT, KËSHILLI NJËZËRI E MIRATOI VENDIMIN

Mbeturinat në Tetovë do t’i grumbullojë dhe deponojë një kompani nga Sllovenia përmes partneritetit publiko-privat me Komunën e Tetovës. Të gjithë këshilltarët komunal njëzëri miratuan këtë vendim. Komuna paraprakisht zhvilloi tender në të cilin u përzgjodh kompania nga Sllovenia për të kryer këtë shërbim, e cila ishte e vetmja që kishte aplikuar në shpalljen publike. Tenderit i parapriu studimi i fizibilitetit mbi justifikimin e partneritetit publiko-privat, shkruan Portalb.mk.

Me datë 31 mars 2023 Këshilli Komunal miratoi përfundimin për studimin e fizibilitetit për rivendosjen e partneritetit publiko-privat për grumbullimin e mbeturinave në të gjithë territorin e Komunës së Tetovës deri te deponia rajonale Rusino. Në të njëjtën seancë Këshilli Komunal ka sjellë edhe vendim për fillimin e procedurës.

Pas kësaj, u hap thirrje publike dhe aty si ofertues ka pasur vetëm një kompani e cila është “Saubermaher” nga Sllovenia, shoqëri për shërbime për mbrojtjen e ambientit jetësor, tregti dhe transport.

Nga Komuna njoftuan se parashihet që kompania sllovene të bëjë grumbullimin e të gjitha mbeturinave dhe të bëhet bartja deri te deponia Rusino si dhe në ndërkohë do të duhet të bëhet selektimi i të njëjtave.

Nga Komuna sqaruan gjithashtu se partneri privat obligohet që të bëjë transferimin e vendeve të punës nga ndërmarrja publike, konkretisht të punonjësve të higjienës komunale në partneritetin e ri, nga ku 31 duhet të jenë staf administrativ dhe 61 duhet të jenë staf teknik.

“Me këtë do të përmbyllet një problem shumëvjeçar me kushtet dhe pagat e punonjësve të ndërmarrjes publike, të njëjtit do të jenë me kontratë të përhershme dhe do të gëzojnë sigurim shëndetësor, pensional, njohja e përvojës së punës e kështu me radhë”, sqaruan përfaqësuesit e Komunës së TetovësInkasimi i pagesave do të kryhet nga parteri privat ndërkaq qasje do të ketë edhe partneri publik, ku një pjesë e fitimit do i takojë edhe partnerit publik.

Të gjithë këshilltarët prezent në seancë votuan pro këtij partneriteti.

“Nëse kjo është zgjidhje që punëtorët mos të mbesin pa paga dhe pa sigurim shëndetësor, atëherë ne do përkrahim këtë nismë, këtë kontratë së paku që qytetin ta shohim të pastër. Besoj se edhe gjatë përpilimit të kontratës dhe çmimit do kemi debat konstruktiv që të bëjmë më të mirën që njëherë e përgjithmonë të pastrojmë mbeturinat nga qyteti”, tha Veton Murati, këshilltar nga BDI.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami deklaroi se “prioritet ka qenë që të përzgjidhet kompani me eksperiencë ndërkombëtare dhe kompani e cila do të menaxhojë në mënyrë efikase me mbeturinat e qytetit”.

Kujtojmë se në janar të vitit 2023 Këshilli Komunal mori vendimin që Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Arsyeja pse “Oaeneum” u bë shoqëri tregtare, siç paten sqaruar nga komuna ishte pikërisht se në procedurë të partneritetit publiko privat ligji e kërkon të jetë shoqëri tregtare jo ndërmarrje publike. Ndërkaq NPK-ja aktuale do vazhdojë me veprimtaritë që ngelin, konkretisht veprimtaria e tregut, gjelbërimit dhe varrezave të qytetit, pra tre veprimtari.