Maqedoni

Merko në listën e zezë, reagojnë partitë politike

Vendimin e Departamentit të Shtetit për Ramiz Merkon e kanë komentuar edhe partitë politike në vend. Sipas VMRO-DPMNE-së, SHBA-ja ka vërejtur se se zyrtarët e qeverisë po ndërhyjnë në gjyqësor dhe po diktojnë gjykime. Nga kjo parti theksojnë se kjo është shuplakë për LSDM-në dhe BDI-në.

VMRO-DPMNE

“VMRO-DPMNE gjatë 6 viteve të fundit vazhdimisht ka reaguar ndaj përfshirjes së pushtetit në proceset gjyqësore dhe partizimit dhe politizimit të organeve të drejtësisë. Pothuajse çdo raport nga Departamenti i Shtetit vëren korrupsionin dhe kriminalitetin nga zyrtarët qeveritar. Kjo është vetëm një arsye pse BDI duhet të shkojë në opozitë”.

Për këtë çështje kanë reaguar edhe kryetari më i ri i koaliconit të qeverisë, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ai ka kërkuar edhe dorëheqjen e mënjëhershme të Ramiz Merkos.

ALEANCA PËR SHQIPTARËT

“Ky përcaktim i sotëm është një sinjal që ka potencialin për të rikthyer shpresën në Maqedoninë e Veriut. Nga sot, SHBA-të dëshmuan se askush nuk është i paprekshëm. Përgëzojmë Ambasadoren Aggeler për konsistencën e saj dhe paralajmërimin se do të ketë përcaktime tjera gjatë këtij viti. Korrupsioni duhet të ketë pasoja, por shpalljet non grata nuk mjaftojnë”.

Dorëheqje sa më të shpejtë për Ramiz Merkon, kanë kërkuar edhe nga Lëvizja Besa. Sipas tyre, Qeveri nuk është asgjë më shumë përveç se një Qeveri e krimit dhe korrupsionit.

LEVIZJA BESA

“Vënia në listë të zezë e kreut të Strugës Ramiz Merko, është shembulli tipik i funksionarit të BDI-së, të udhëhequr nga Artani dhe Aliu. Besojmë fuqishëm se ky është vetëm fillimi i demaskimit të korrupsionit dhe funksionarëve të inkriminuar të BDI-së. Presim që kjo listë ditëve në vijim të plotsohet me funksionarët që kanë keqpërdorur dhe keqpërdorin fondet vendore dhe të huaja në emër të “investimeve”.

Ndërkaq, për partinë Alternativa kjo nuk është as risi e as befasi, pasi siç deklarojnë Sektretari Organizativ i kësaj partije, Zeqirja Ibrahimi, Ramiz Merko është vetëm një fije në rrjetin e madh të merimangës së korrupsionit që për 20 vjetët e kaluara e ka krijuar BDI-ja.

ALTNERNATIVA

“Ndalimi për të hyrë në SHBA për zyrtarin e lartë të BDI-së nga Struga, aktualisht kryetar i Komunës së Strugës, kjo për shkak të korrupsionit dhe përzierjes në gjyqësor, për ne është edhe një dëshmi më shumë se pse duhet të insistojmë e të këmbëngulim që të pranohet propozim-amendamenti ynë për sanksionim kushtetues që lëndët e korrupsionit të mos mund të vjetrohen kurrë. Ky skandal e shpjegon edhe arsyen se pse BDI-ja e LSDM-ja refuzojnë ta pranojnë këtë amendament”.

Nga kjo parti gjithashtu theksojnë se presin që Prokuroria Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme të marrin masa, ndërsa sipas Zeqirja Ibrahimit, BDI-ja të japë llogari se deri kur e ka ndër mend të qeverisë me korrupsion e abuzim me drejtësinë dhe këtë ta shesë me nota patriotike.