Blinken takohet me Xi Jinping të Kinës në pjesën e fundit të vizitës në Pekin
Udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe diplomati i lartë amerikan Antony Blinken u takuan në Pekin të hënën, në një hap potencialisht vendimtar drejt rregullimit të lidhjeve SHBA-Kinë, pasi ato u përkeqësuan pas një mosmarrëveshjeje mbi një balonë mbikëqyrëse kineze në fillim të këtij viti.
Blinken është Sekretari i parë i Shtetit i SHBA-së që viziton Pekinin në pesë vjet dhe bisedimet e tij me zyrtarë të lartë kinezë shihen si kyçe, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Pasiguria rreth asaj nëse Xi dhe Blinken do të takoheshin gjatë vizitës dy-ditore theksoi më tej marrëdhëniet e tensionuara SHBA-Kinë.
Takimi, i cili u zhvillua në Sallën e Madhe të Popullit të Pekinit, u njoftua publikisht nga SHBA vetëm rreth një orë përpara se të zhvillohej.
“Të dyja palët bënë përparim dhe arritën marrëveshje për disa çështje specifike. Kjo është shumë e mirë”, ka thënë Xi, duke folur me Blinken në fjalimin e transmetuar, ndërsa të dy delegacionet u ulën përballë njëri-tjetrit në një tryezë të gjatë, me liderin kinez në krye të saj.
Xi tha se shpresonte që Blinken, përmes vizitës së tij, të “bënte më shumë kontribute në stabilizimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë” duke shtuar se “ndërveprimet shtet-shtet duhet të bazohen gjithmonë në respektin dhe sinqeritetin reciprok”.
Dy fuqitë globale kanë qenë gjithnjë e më shumë në mosmarrëveshje për një sërë çështjesh që variojnë nga lidhjet e ngushta të Pekinit me Moskën, çështja e Tajvanit, deri te përpjekjet amerikane për të kufizuar shitjen e teknologjive të avancuara në Kinë.