Dossier

Ta kujtojmë luftën e Fadil Fejzullahut në vitin 2001, i cili tani është në burg

Fejzulla Arifi

Dje ishte 4 maj, por edhe 4 maji i 2001 duket aq afër sikur të kishte ndodhur dje !, në atë betejë të ashpër, gjurmë të pashlyeshme heroizmi, ka lënë edhe Fadil Fejzullahu i cili sot gjendet në burg. Dua që ta përkujtoj heroizmin e tij me një shkëputje nga libri “Betejat e paharruara-2001”

….Në ato momente delikate dhe nën presion të bombardimeve nga drejtimi ku e nxorrëm të plagosurin, erdhi Fadil Fejzullahu i cili kishte mbetur i fundit në pozicionin nga i cili që sapo ishin tërhequr, i tërbuar dhe shumë nervoz, kërkonte nga ne municion për mitralozin model ”84” që po e mbante në dorë, nuk qetësohej edhe përkundër thirrjeve tona që të qetësohet. Ashtu në këmbë duke qëndruar, insistonte që t`i japim municion, me që unë kisha atë mitralozin kinez që më ishte bllokuar në momentin kur na erdhi mbi kokë helikopteri ushtarak, kjo ndodhi sepse ishte i ndryshkur dhe nuk funksiononte siç duhej por municionin e kishte të të njëjtin kalibër me atë që mbante në dorë ai. Nxorra nga xhepi qe i kisha lënë disa fishekë si rezervë dhe ia dhashë, menjëher i futi në zinxhirin e mitralozit dhe pa u menduar fare doli përballë tanksave. Gjuante duke bërtitur me tërë zërin që kishte. Ne insistonim që mos të ekspozohet para një rreziku real pasi që tankset edhe pse ishin në një distance të caktuar, sërisht gjuanin dhe mundësia ishte tepër e madhe për ta qëlluar, nuk ia vënte veshin fjalëve tona. Në ato momente mendoja se ishte i çmendur por nga përvoja e mëvonshme e pata kuptuar se ajo kishte qenë një zbrazje emocionale dhe një shfryerje që me asgjë nuk mund të arrihet përpos me ballafaqim direkt, ishte e rrezikshme por e domosdoshme për një luftëtarë të vërtetë që iu kishte plagosur shoku dhe i kishte rënë pozicioni luftarak edhe pse pa fajin e tyre. Ishte vërtetë një pozicion i pa planifikuar mirë, një pozicion që nuk mund të mbrohej në ato kushte dhe nën ato rrethana. Ashtu siç ishte vendosur pozicioni, duhej të kishin së paku mitralozë të rëndë dhe raketa tokë-tokë për t`i penguar gjithë ato tankse dhe mjete tjera të blinduara, do të duhej së paku të kishin një sistem raketorë kundër helikopterëve qe ishin të sofistikuar dhe fjala e fundit e teknologjisë ushtarake siç ishin helikopterët MI 24. Pasi që e bëri të veten u largua i dëshpëruar në drejtim të fshatit Alizare ku ishte e vendosur baza e tyre. Atë nuk e kam parë një kohë të gjatë. Granatimet nuk pushoni kohë pas kohe sikur të jenë të programuara me një tempo të përcaktuar paraprakisht. Ishim të lodhur dhe disi të dëshpëruar për mungesën e armatimit të nevojshëm. Nuk bëhej fjalë për diçka të parëndësishme por për një situate shumë delikate. Dallimi ishte shumë i madhë në përgatitje luftarake, posedonim vetëm disa pushkë dhe pak municion, bile në mesin tone kishte ende ushtarë të pa armatosur dhe pa fare përvojë lufte. Pozicionet tona ishin ende të pa përgatitura, pa istikame të hapura, të palidhura në mesvete dhe të shpërndarë shumë largë nga njëri tjetri. Në rast të plagosjes të ndonjë luftëtari ishte tepër veshtirë që të nxirret nga fushëbeteja, rasti i Feratit ishte një përvojë e hidhur dhe dëshpëruese. Edhe furnizimi me municione dhe ushqim e ujë ishte shumë i vështirë pasi që gjatë tërë kohës kur shkonim për furnizim ishim të ekspozuar ndaj mitralozëve dhe snajperëve dhe jo shumë rallë edhe me tankse gjuhej ndaj nesh. Kjo ditë ishte shumë e vështirë dhe në të njëjtën kohë edhe një përvojë që do të na përcjellë edhe më tutje. Ishim të uritur dhe të etur, nuk kishim me vete ushqim e as ujë sepse luftimet nuk na kishin lënë aspak hapësirë për gjëra të atilla. Dikur vonë pas dite, unë kërkova nga hoxha që të më lejoj të shkoj në shtëpi për të marrë diçka për të ngrënë dhe për të pirë….