Maqedoni

Kovaçevski – Pirc: Sllovenia mbështet integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE June 13, 2023

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski sot u takua me Presidenten e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë së RMV-së, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Në fokus të bisedimeve, theksojnë nga atje, ishte progresi në procesin e integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa kryeministri Kovaçevski shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe të Sllovenisë si partner bilateral i vendit tonë në procesin e zbatimit të reformave.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është në një pikë kthese të historisë që kërkon nga ne të tregojmë lidership dhe bashkim të të gjithë aktorëve politikë në Kuvend”, tha në takim kryeministri Kovaçevski, duke shprehur shpresën se edhe këtë herë vendi ynë do të qëndrojë në ana e duhur e historisë me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë dhe miqve të vjetër, përfshirë Slloveninë.

Kryeministri Kovaçevski theksoi edhe faktin se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Sllovenisë janë vende mike, pa çështje të hapura dhe marrëdhëniet dypalëshe bazohen në miqësinë tradicionale të kahershme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në këtë drejtim, shtojnë nga atje, bashkërisht u përshëndet nënshkrimi i fundit i Deklaratës së përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Sllovenisë, e cila u theksua se padyshim kontribuon në intensifikimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral.