Kordinatori kombëtar për bashkëpunim rajonal dhe Eurointegrime, Mustaf Vesli, ishte i ftuar në Akademinë Diplomatike të Vjenës, një akademi prestigjioze për politikë ndërkombëtare. Ky organizim u bë në kuadër të Forumit Evropian 2025, me rastin e 30-vjetorit të anëtarësimit të Austrisë në Bashkimin Evropian. Gjatë këti takimi ishin të ftuar shumë personalitete si ish presidenti i Ukrainës Viktor Yushchenko.
Mustaf Vesli e bëri këtë të ditur edhe në rrjetet e tij sociale, ku ndër të tjera shkroi:
Me ftesë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, pata nderin të marr pjesë në Forumin Evropian 2025, zhvilluar në kuadër të 30-vjetorit të anëtarësimit të Austrisë në Bashkimin Evropian – një ngjarje që rikujton se projekti evropian është, para së gjithash, projekt paqeje, bashkëpunimi dhe vlerash të përbashkëta.
Folësi kryesor i sesionit të parë ishte ish-Presidenti i Ukrainës, Shkëlqesia e Tij Viktor Yushchenko – një burrë shteti që e njeh nga përvoja personale koston e lirisë dhe rreziqet e autokracisë.
Në fjalën e tij, Presidenti Yushchenko theksoi se politika ndërkombëtare nuk është vetëm raport forcash, por edhe betejë për të vërtetën. “Ngjarjet duhet të quhen me emrin e tyre – agresioni, agresion; okupimi, okupim,” tha ai, duke shtuar se kjo qartësi nuk është çështje retorike, por parakusht për drejtësi.
Ai solli në kujtesë takimet me udhëheqësit rusë, përfshirë Presidentin Putin, para shpërthimit të luftës, dhe analizoi dobësitë strukturore të Federatës Ruse: ekonominë e varur, GDP-në që nuk arrin as nivelin e një shteti të vetëm amerikan – Kalifornisë, si dhe aleancat e detyruara me Kinën dhe Indinë.
Në përfundim, Yushchenko dha një mesazh që i tejkalon kufijtë e Ukrainës:
“Europa duhet të flasë me një zë. Helmetat e Evropës sot janë ushtarët ukrainas – ata që mbrojnë jo vetëm vendin e tyre, por edhe kufirin e lirisë evropiane.”
P.S. Le të mos harrojmë: Presidenti Yushchenko është njeriu që u helmua, dyshohet nga shërbimet ruse, dhe shpëtimin e gjeti në klinikat e Vjenës. Edhe kjo është pjesë e asaj që quajmë Evropë – aty ku jeta mbrohet nga mjekësia, jo nga spiunazhi.
Vjenë, 7 nëntor 2025

