Hovenier: Qetësimi në veri me zgjedhje të reja e pjesëmarrje të serbëve
Qysh në orët e para të mëngjesit të sotëm, dyshja e emisarëve – Miroslav Lajçak nga BE-ja dhe Gabriel Escobar nga SHBA-ja – patën takime me krerët e shtetit, por edhe me opozitën.
Në këto takime, i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka treguar se për çfarë saktësisht u bisedua në takimet me Kurtin e Osmanin.
“Zhvilluam diskutime të rëndësishme me Escobarin e Lajçakun. Theksuam nevojën për qetësim të menjëhershëm në veri të Kosovës, përfshirë zgjedhje të reja e përfshirëse me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe zbatimin e plotë nga Kosova dhe Serbia të marrëveshjes për normalizim”, tha Hovenieri në një postim në Twitter.
Kërkesë të njëjtë patën edhe dyshja Lajçak e Escobar.
Madje Escobari theksoi se “Kurtit i mungon ndjenja e bashkëpunimit dhe koordinimit”. Ai tha po ashtu se Kosova dhe Serbia duhet të dalin me një zgjidhje për qetësim të situatës deri nesër.