May 16, 2024
Maqedoni

Shkarkimi i Jovevit! A është viktimë e politikës? Mexhiti mohon, paralajmëron shkarkime tjera

Me duartrokitje dhe brohoritje nga pacientët dhe të punësuarit u prit drejtori i shkarkuar i Kardiokirurgjisë, Sashko Jovev. Ata përmes një proteste treguan se janë kundër shkarkimit të drejtorit nga ana e Ministrit të Shëndetësisë Fatmir Mexhiti. Profesori Jovev vendimin e Ministrit Mexhiti e cilëson si të padrejtë, thotë se po sakrifikohet për një keqkuptim, më saktë për kujdestari që i ka bërë vitin e kaluar pa pëlqimin e Ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë.

Jovev vlerëson se largimi i tij nga pozita drejtor nuk është mbi bazë politike, por thotë se po shkon në atë drejtim.

“Unë vlerësoj se nuk jam viktimë e një revanshi politikë mirëpo kjo po shkon në atë drejtim, sepse në fillim nuk kishte të bëjë me politikë, pikënisja mund të jetë ndonjë inati, ndonjë keqkuptim, por si po shkon kjo më tej dhe si duan të sakrifikojnë dikë që ka bërë diçka në këtë vend dhe për këtë shtet, unë për 25 vjet jam munduar të hap kardiokirurgji”, tha Sashko Jovev – drejtor i shkarkuar i Kardiokirurgjisë.

 

 

Edhe Ministri Mexhiti i prerë në deklaratën e tij, mohon se shkarkimi vjen si pasojë e mosmarrëveshjeve brenda partnerëve të koalicionit. Ai nuk hedh poshtë zërat se ka presione nga partneri i koalicionit LSDM, por thotë se nuk merret me to.

“Unë jam ministër i shëndetësisë bashkë me ekipin tim dhe ne vendosim për politikat shëndetësore, absolut nuk merremi me presion që bëhen prej disa njerëzve… domethënë keni presione? Nëse ju mediat i quani presione, ne aspak nuk merremi me to. Ne jemi këtu para së gjithash të ju sigurojmë pacientëve kushte më të mira”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

 

 

Ndonëse vendimi i djeshëm i Ministri të Shëndetësisë po bën bujë dhe ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion, Mexhiti lë të kuptohet se me kaq nuk do të ndalet dhe paralajmëron shkarkime tjera në vijim, pa precizuar se kush do të jetë “viktima” e radhës.

“Do të thotë kushdo që gabon dhe ku ka keqpërdorime dhe keq menaxhim do të jetë i shkarkuar nga ana ime”, pohoi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Ndryshe avokati i kardiokirurgut Sashko Jovev, Mite Mihajllovski zbuloi se do të vijojë padi kundër ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhitit, pasi nuk ka arsye për shkarkim.