KShZ-ja hodhi poshtë të gjitha 16 ankesat në lidhje me votimin në Bërvenicë, Karposh dhe Shuto Orizarë në raundin e dytë.
Kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko, informoi se sot do të përgatiten vendime individuale për secilën ankesë dhe do t’u dorëzohen paraqitësve dhe më pas do të priten afatet ligjore për padi të mundshme në Gjykatën Administrative.
Kondarko shtoi se Komisioni do të presë afatet ligjore për padi të mundshme në Gjykatën Administrative në 24 orët e ardhshme, pas të cilave, nëse ka të tilla, Gjykata është e detyruar të veprojë brenda 48 orëve nga pranimi.
“Kjo do të thotë se më së voni deri në fund të fundjavës, do të kemi vendimet e Gjykatës Administrative nëse ka padi. Nëse nuk ka padi, në momentin e parë kur të skadojnë afatet, domethënë kur vendimet të jenë përfundimtare, KShZ-ja do të mbajë një seancë për të shpallur rezultatet përfundimtare për komunat Bërvenicë, Shuto Orizarë dhe Karposh.”, tha Kondarko.
Për Shuto Orizarën u paraqitën 13 ankesa, nga të cilat 10 ishin nga koalicioni “Maqedonia Juaj” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe tre nga Unioni i Romëve. Koalicioni “Përvoja për Sukses” paraqiti dy ankesa në lidhje me dy qendra votimi në Komunën e Karposhit dhe kandidati për kryetar të Bërvenicës nga VLEN, Hakim Ramadani, gjithashtu paraqiti një ankesë në KShZ. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i hodhi poshtë të gjitha si të pabaza.

