Rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale kanë sjellë jo vetëm fitues e humbës, por edhe pakënaqësi dhe dyshime. Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve janë dorëzuar 16 ankesa në lidhje me procedurën e rezultateve nga raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, që u mbajtën të dielën më 2 nëntor. Afati për dorëzimin e ankesave përfundon sot, gjegjësishtë 48 orë pas publikimit të rezultateve fillestare të zgjedhjeve.
Kandidati i koalicionit VLEN-it për komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadani, ankesa ka dorëzuar për katër vendvotime. Bëhet fjalë për vendvotimet 2034, 2033, 2032, 2035 në komunën e Bërvenicës. Në këtë komunë, në raundin e dytë të zgjedhjeve, fitoi Jovica Ilievski, i nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni me 4.374 vota, ndërsa Ramadani mori 4.224 vota.
Koalicioni “Maqedonia Juaj” ka dorëzuar dhjetë ankesa për vendvotimet 2956, 2971/1, 2973, 2959/1, 2955, 2956/1, 2959, 2961/1, 2961 dhe 2971 në komunën e Shuto Orizares.
Edhe Aleanca e Romëve ka dorëzuar ankesa për Shuto Orizaren, për vendvotimet 2966, 2962 dhe 2961.
Në këtë komunë, në raundin e dytë të zgjedhjeve, fitoi Kurto Dudush nga Unioni i Romëve me 3.894 vota, ndërsa Erxhan Demir, i mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, mori 3.406 vota.
Koalicioni “Përvojë për sukses”, që mbështeti Stevço Jakimovskin, ka dorëzuar ankesa për përmbledhjen dhe konfirmimin e rezultateve në vendvotimet 2631 dhe 2613 në komunën e Karposhit.
Në Karposh fitoi kandidati i mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni, Sotir Lukrovski, me 13.512 vota, ndërsa Jakimovski mori 12.378 vota.
Sipas informacioneve nga KSHZ, seanca për shqyrtimin e ankesave pritet të mbahet nesër.

