Ndërsa priste senatorët republikanë në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump reagoi për herë të parë pas fitoreve të demokratëve në zgjedhjet e natës së kaluar, duke pranuar se rezultatet nuk ishin të pritshme për republikanët.

“Mbrëmë nuk pritej të ishte një fitore, ishte një zonë shumë demokrate. Por nuk mendoj se ishte mirë për republikanët. Nuk jam i sigurt se ishte mirë për këdo”, tha Trump.

Presidenti shtoi se “ishte një mbrëmje interesante” dhe se republikanët “mësuan shumë” nga ajo çfarë ndodhi, duke paralajmëruar diskutime të mëtejshme mbi rezultatet.

Trump nuk e përmendi fare kryebashkiakun e sapozgjedhur të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, një mungesë e vënë re menjëherë, pasi ai e kishte sulmuar ashpër Mamdani-n për muaj me radhë.

Që prej momentit kur Mamdani fitoi nominimin demokrat për kryebashkiak, presidenti amerikan e ka etiketuar vazhdimisht si “komunist të çmendur 100%”. Trump kishte paralajmëruar madje se do të ndërpriste fondet për qytetin nëse Mamdani fitonte zgjedhjet.

Sipas raportimeve të CNN, gara për kryebashkiakun e Nju Jorkut kishte qenë ndër temat që e shqetësonin më shumë Trump-in në javët e fundit para zgjedhjeve, më shumë sesa garat për guvernator në Nju Xhersi apo Virxhinia.

Në prag të ditës së zgjedhjeve, Trump u bëri thirrje ndjekësve në platformën e tij Truth Social që të votonin kandidatin e pavarur, ish-guvernatorin demokrat Andrew Cuomo.

sqShqip