Geer: Me vizion dhe unitet RMV mund të zërë vendin e saj si anëtare e BE-së
Dita e Evropës është një vështrim drejt së ardhmes, një angazhim i ripërtërirë ndaj llojit të BE-së që duam, një Evropë vlerash dhe inovacioni, një Evropë që përfshin të rinjtë, që është konkurruese. Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë për të qenë pjesë e këtij vizioni me anëtarësimin në BE, pasi ka hapur negociatat e anëtarësimit korrikun e kaluar. Rruga është e hapur dhe detyrat janë të qarta, theksoi ambasadori evropian David Geer në përkujtimin e 9 majit – Ditës së Fitores mbi Fashizmin dhe Ditës së Evropës.
“Jam i bindur se me vizion, unitet dhe këmbëngulje, Maqedonia e Veriut do të mund të zërë vendin e saj si shtet anëtar i BE-së. Ne dëshirojmë që ju të jeni pjesë e jona, vizioni ynë është një e ardhme së bashku”, theksoi ambasadori evropian.
Geer sugjeroi se roli i BE-së është edhe më i rëndësishëm gjersa po zhvillohet lufta e Rusisë kundër Ukrainës. BE-ja dhe aleatët e saj, tha ai, iu përgjigjën agresionit me vendosmëri dhe unitet të jashtëzakonshëm.
“Maqedonia e Veriut ka treguar lidership të jashtëzakonshëm me mbështetjen e saj për Ukrainën dhe ne duam ta përshëndesim për këtë, ndërsa në të njëjtën kohë ne përshëndesim guximin e popullit ukrainas dhe u japim homazhe burrave dhe grave që sakrifikuan veten në Luftën Botërore për të fituar ndaj fashizmit”, tha Geer.