Maqedoni

Përfundon mbledhjen Kryesia Qendrore e Alternativës, autorizohet kryetari Gashi të bisedojë për çdo bashkëpunim me opozitën

Partia Alternativa ka përfunduar mbledhjen e Kryesisë Qendrore. Zëdhënësi i partisë, Orhan Murtezani, në një deklaratë për media, ka deklaruar se në këtë mbledhje përpos diskutimeve për situatën aktuale politike, ata kanë biseduar edhe për temën e bashkëpunimit opozitar.
“Përveç diskutimeve të tjera për situatën aktuale politike në vend, siç janë ndryshimet kushtetuese, propozim-amendamenti kushtetues i Alternativës për luftë kundër korrupsionit, si dhe rruga eurointegruese, në fokus të kësaj mbledhjeje ishte edhe tema e bashkëpunimit të mundshëm opozitar. Me këtë rast Kryesia Qendrore e autorizoi kryetarin Afrim Gashi që të bisedojë për çdo bashkëpunim eventual, qoftë ai bashkëpunim në suaza të Parlamentit ose edhe për bashkëpunim tjetër koalicionues.
Për një gjë të gjithë jemi të sigurt. Qytetarët kërkojnë dhe presin ndryshim dhe ne jemi të detyruar t’i përgjigjemi kërkesës së tyre. Para nesh janë disa sfida, ndërsa AlternAtivA që sonte shfaq gatishmëri të plotë për bashkëpunim në interes të qytetarëve. Për të gjitha detajet do të njoftoheni në të ardhmen”, ka deklaruar Murtezani.