Rusia e kupton që Serbia është nën një presion të paparë, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Presidentit të Federatës Ruse, duke komentuar deklaratën e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç mbi shitjen e municioneve në vendet e BE-së.
“E kuptojmë presionin e paparë që po u bëhet serbëve. Kjo është arsyeja pse situata është shumë komplekse. E kuptojmë se çfarë vështirësish po kalojnë serbët”, tha Peskov në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me deklaratën e Vuçiçit se Serbia është gati t’i shesë municione Bashkimit Evropian, raportoi RIA Novosti e Rusisë.
Në një intervistë të botuar më 30 tetor në revistën gjermane Cicero, Vuçiç tha se depot e municioneve të Serbisë po mbushen dhe se vendi po prodhon më shumë, veçanërisht predha mortaje.
“Depot tona janë plot me municione dhe ne vazhdojmë të prodhojmë, veçanërisht predha mortaje. Ne prodhojmë më shumë municione se Franca. U kam ofruar miqve tanë në BE të lidhin një marrëveshje blerjeje dhe të marrin në dorëzim gjithçka që kemi”, tha Vuçiç.
Kur u pyet nëse municioni mund të përfundonte në Ukrainë, Vuçiç u përgjigj: “Blerësit mund të bëjnë çfarë të duan me të.”
Vuçiç tha se Serbia mbetet ushtarakisht neutrale, por është e gatshme për bashkëpunim më të fortë me partnerët evropianë jashtë vendit, raporton Nova.rs.

