Rajon - Botë

Gruri i Ukrainës “vërshon” Evropën, bie dukshëm çmimi

Polonia ka vënë të shtunën ndalesë ndaj importeve të grurit, dhe produkteve tjera ushqimore nga Ukraina, ashtu që të mbrojë bujqit lokalë, ka thënë lideri i partisë në pushtet, Ligji dhe Drejtësia, Jaroslaw Kaczynski. Eksportet e grurit ukrainas kanë kaluar nëpër Bashkimin Evropian, për të shkuar më pas në destinacionin final, prej kur Ukrainës i janë bllokuar rrugët detare, për shkak të luftës së nisur nga Rusia, në shkurt të vitit të kaluar. Mirëpo, për shkak të çështjeve logjistike, gruri në BE është magazinuar dhe çmimet e grurit kanë rënë, çka ka nxitur protesta te bujqit dhe dorëheqje të ministrit polak të Bujqësisë.“Sot, Qeveria ka vendosur që të ndalojë hyrjen, importimin e grurit në Poloni, si dhe ndalimin e disa produkteve tjera ushqimore”, ka thënë Kaczynski në fshatin verior Lyse. Përndryshe, “kjo situatë do të ndikonte në rritje të krizës për sektorin e bujqësisë në Poloni… Ne duhet të mbrojmë bujqësinë polake”, ka shtuar ai.
Duke folur në Konventën e partisë së tij të ekstremit të djathtë, Ligji dhe Drejtësia, Kaczynski, ka theksuar se Polonia mbetet mbështetëse e madhe e Ukrainës fqinje. “Ne do të vazhdojmë të jemi, pa ndryshimin më të vogël, miq dhe aleatë të Ukrainës”, ka thënë ai.Autoritetet ukrainase kanë thënë të shtunën se u vjen keq për vendimin e marrë nga homologët polakë. “Bujqit polakë po përballen me situatë të vështirë, mirëpo bujqit ukrainas janë duke u përballur me situatën më të vështirë”, kanë thënë ata. Muajin e kaluar, Polonia, dhe katër shtetet tjera të Evropës Qendrore, kanë kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian, për të luftuar ndikimin e grurit ukrainas në territorin e bllokut evropian./REL