Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga shpërthimi i akuzave për ndërhyrje të panevojshme në zemër në klinika private, por ende nuk është arritur në një përfundim. Rasti po hetohet nga komisioni i brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili deri më tani ka pranuar rreth 25 ankesa, ndërsa shtatë deri në tetë raste të tjera janë ende në proces shqyrtimi. I pari i shëndetësisë tha se përfundimi i hetimeve nuk varet vetëm nga Ministria e Shëndetësisë.

“Mendoj se edhe shtatë gjetje duhet të analizohen. E dini se këto procese kërkojnë kohë, ato ekspertë janë të pakt për vendin tonë, përveç kësaj pune, ata kanë edhe punë ditore në ambulante dhe në sallat e operacioneve. Për këtë shkak kjo dinamikë e punës nuk varet nga ne si ministri, por varet nga ekipi i ekspertëve”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.

Në ndërkohë, në Klinikën e Kardiologjisë në Shkup është kryer ablacioni për takikardi ventrikulare, një ndërhyrje që përbën lehtësim për pacientët dhe sistemin shëndetësor duke ulur dërgimet e kushtueshme jashtë vendit dhe duke përmirësuar qasjen në trajtime të avancuara.

“Bashkëpunojmë me Fondin Shëndetësor dhe me ministrinë për përmirësimin e kushteve. Ideja është që ulet numri i pritjeve të pacientëve dhe të njëjtit të mos i presim përmes neurologjisë, por ti presim tek ne, ta bëjmë parandalimin dhe mos të hyjmë direkt me trajtim të komplikimeve”, tha Jane Taleski, mjek në Klinikën e Kardiologjisë.

Sipas mjekëve, mbi 100 pacientë do të përfitojnë nga kjo metodë, dhe do të ulet rreziku për jetën. Për këto aritmi komplekse kardiake, Fondi deri më tani ka ndarë më shumë se 20 mijë euro për pacient për trajtim jashtë vendit, pasi nuk ishte e mundur të kryheshin këto procedura në vendin tonë. Sipas Klinikës së Kardiologjisë, vitin e kaluar u kryen rreth 290 ablacione, ku më shumë se gjysma e tyre ishin komplekse. Këtë vit, kjo shifër duhet të rritet me 20 për qind. /Alsat.mk

sqShqip