Ukraina e prerë: Do marrim Krimenë brenda 6 muajsh
Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha se Kievi do të rimarrë Krimenë në një periudhë shumë të shkurtër.
“Rusia nuk ka burime të mjaftueshme për të trajtuar situatën në Krime. Ukraina do ta rimarrë gadishullin në një kohë shumë të shkurtër, gjashtë muaj, pesë muaj, shtatë muaj. Ndoshta ky është një optimizëm i tepruar, por është një optimizëm i verifikuar matematikisht. Ura e Kerçit do të shembet pas”, tha këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak.
Për Podolyak, nëse Moska fillon të tërheqë trupat e saj nga Ukraina, atëherë Kievi mund të ulet në tryezën e bisedimeve me Moskën.
Blinken: Në javët e ardhshme pritet një kundërsulm i ukrainasve
Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken tha në një intervistë me gazetën franceze Ouest-France se një kundërsulm nga forcat e armatosura të Ukrainës për të çliruar territorin në Ukrainën lindore është i pashmangshëm në javët e ardhshme.
Sipas tij, vendet perëndimore që mbështesin regjimin e Kievit kanë dy synime për sa i përket ndërhyrjes në krizën ukrainase.
“Së pari, duhet bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Ukrainën të rimarrë territoret, përfshirë kundërsulmin që pritej në javët e ardhshme. Por qëllimi i dytë është të ndihmojmë Ukrainën të ndërtojë aftësitë e saj afatmesme dhe afatgjata”, tha Blinken.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara synojnë të mbështesin Kievin në dëshirën e tij për të luftuar për çlirimin e Krimesë dhe Donbasit, Sekretari amerikan i Shtetit tha se përgjegjësia për një vendim të tillë i takon Ukrainës.
“Ky është vendimi i Ukrainës. Kjo është demokracia, Presidenti Zelensky po përmbush vullnetin e popullit ukrainas.
Në fakt, ky është një vendim për ukrainasit. Së bashku me shumë vende të tjera, ne mbështesim Ukrainën në përpjekjet e saj”, u përgjigj Blinken.