May 21, 2024
Maqedoni

Djaloshi 18 vjeçar nga Shkupi kapet me 71 kg marihuanë, e angazhoi një 37 vjeçar

Një djalosh në moshë 18 vjeçare nga Shkupi është arrestuar bashkë me dy persona tjerë të moshës 21 dhe 37 vjeçare për transportim të 71 kg marihuanë nga Negotina për në Shkup, njoftoi MPB.

Prokuroria e Kavadarit ka vendosur të padisë ata për veprën penale “Prodhimi dhe tregtimi i paautorizuar i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” nga neni 215 paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal, transmeton Lideri.mk.

Të dyshuarit e moshës 37, 21 dhe 18 vjeç kanë organizuar bartjen e lëndës narkotike – marihuanë, sipas marrëveshjes së mëparshme.
I dyshuari i parë i angazhoi dy të tjerët dhe u dha edhe veturën e tij për këtë qëllim.

Më 5 prill, të tre me dy vetura u nisën nga Shkupi për në Negotinë. Aty i dyshuari ka siguruar ilegalisht mbi 71 kilogramë marijuanë, të paketuara në katër çanta udhëtimi. Ata e futën drogën në njërën nga veturat dhe filluan të kthehen në Shkup.

Gjatë procedurës hetimore, pas udhëzimeve të prokurorit publik, tashmë po ndërmerren veprimet për të përcaktuar se nga e kanë siguruar drogën personat.

Me propozim të prokurorit publik kompetent, gjykatësi nga Gjykata Themelore në Kavadar për tre personat mbrëmë caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.