Maqedoni

Sela uron Ramën

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 25 prillit.

“Shumica e shqiptarëve të Shqipërisë vendosën për t’i dhënë një mandat të tretë Partisë Socialiste të Shqipërisë të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama. Është ky verdikti i sovranit që i dha besimin dhe përgjegjësinë PS-së dhe Edi Ramës për të vazhduar me qeverisjen e Shqipërisë dhe ky vullnet i shumicës duhet respektuar e vlerësuar.

Përgëzime për procesin e votimit gjithë shqiptarëve të Shqipërisë, bashkë me maturinë qytetare gjatë mbarëvajtjes së procesit të votimit sipas standardeve. Meritat pa dyshim u takojnë votuesve, por edhe institucioneve të Shqipërisë bashkë me komisionerët dhe vëzhguesit e të gjitha partive politike.

Urime të përzemërta Kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve e simpatizantëve të PS për fitoren e radhës dhe rezultatin e arritur, me shpresë dhe bindje të thellë se Shqipëria do të zhvillohet edhe më shumë, duke e përshpejtuar rrugën drejt integrimit në BE, duke i përforcuar përpjekjet në aspekt të së drejtës dhe shtetit ligjor si dhe në hapërimin e hovshëm ekonomik për të mirën e gjithë shqiptarëve.

Një Shqipëri e integruar, e fortë politikisht dhe ekonomikisht i bën shqiptarët të ndihen më të sigurt kudo në botë.

Një angazhim më i madh i Qeverisë së Shqipërisë në të ardhmen për të gjithë shqiptarët përtej kufinjëve shqiptar është dhe do të mbetet detyrim kushtetues dhe si i tillë të reflektojë çdo herë kur e kërkon nevoja”, shkruan kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.