Taravari për largimin e Rolanda Prevallës nga ASH te ‘Grupi i Zjarrit’: Secili vendos se ku do të vazhdojë
Anëtarja e Kuvendit Qendror të Aleancës për Shqiptarët, Rolanda Prevalla Kadriu i është bashkuar grupit të zjarrit të BDI-së.
Kështu ka bërë të ditur kreu i këtij grupimi dhe nënkryetar i BDI-së, Izet Mexhiti, duke bërë të ditur lajmin përmes rrjeteve sociale.
Për këtë “Fokus” ka kontaktuar edhe me kreun e ASH-së, Arben Taravari, i cili ka dhënë një përgjigje të shkurtër për braktisjen e bashkëpartiakës së tyre.
“Secili vendos vetë se ku do të vazhdojë. Qindra anëtarë të rinj vijnë tek ne dhe disa largohen. Të gjitha partitë kanë rregullisht anëtarë që shkojnë e vijnë. Është një dukuri normale”, tha Taravari në një prononcim për “Fokus”.
Ky largim vjen vetëm pak ditë pasi që ASH u bë pjesë e Qeverisë dhe se ka filluar përzgjedhja e drejtorëve nëpër eshalonet e tjera të pushtetit.