Takimi në Bruksel, Borrell kap kokën (Video)
Nis takimi Borrell-Kurti-Vuçiq
Ka nisur takimi trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell e të dërguarit special për dialogun, Miroslav Lajçak.
Video nga fillimi i takimit: https://fb.watch/iYGKqg3cl1/?mibextid=v7YzmG
Kurti e Vuçiq paraprakisht janë pritur në takime të veçanta nga Borrelli e Lajçaku.
Pas takimit trepalësh, pritet që Borrelli të deklarohet për media për lidhur me rezultatet.
Takimi i Kurtit me zyrtarët evropianë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit pasditen e së hënës në Bruksel nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimi, i cili nisi pak pas orës 15:00, po zhvillohet në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Dy diplomatët perëndimorë do të presin më pas presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa pas takimeve dypalëshe, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me Kurtin e Vuçiqin.
Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të duhej t’i takonte palët veç e veç, përpara takimit të përbashkët.
Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.
Pas Kurtit, Borrelli e Lajçaku presin në takim Vuçiqin
Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë pritur në takim presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi i Borrellit dhe Lajçakut me Vuçiqin, ka filluar pas takimit të mbajtur midis tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Pas orës 17:00, pritet të mbahet një takim i përbashkët i lehtësuesve të dialogut me të dyja palët.
Borrelli shpreson në “qasje konstruktive” nga Kurti e Vuçiqi
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka njoftuar për takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Borrell në “Twitter” ka thënë se pret qasje konstruktive nga të dy.
“Kam mirëpritur presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti në Bruksel për takimin e nivelit të lartë të dialogut Beograd – Prishtinë. Në agjendë: propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve. Shpresoj për një qasje konstruktive nga të dyja palët”, ka shkruar Borrell.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Instagram ka dhënë një mesazh, ndërsa ka falënderuar ata që i besojnë lidershipit të tij.
“Faleminderit të gjithëve që kanë besim në lidershipin e shtetit të tyre dhe që besojnë se do të bëjmë më të mirën për vendin tonë”, ka shkruar Vuçiq.