Qeveria konfirmon: Bujar Osmani keqpërdori veturat zyrtare
Pas Anti korrupsionit edhe Qeveria ka konfirmuar se ministri Bujar Osmani ka keqpërdorur veturat zyrtare të Ministrisë së Punëve të jashtme për aktivitete zgjedhore dhe partiake. Zv/kryeministrja për krijimin e politikave të mira, Sllavica Gërkovska për Alsat tha se pasi janë shqyrtuar dëshmitë e Komisionit për Anti Korrupsion kanë konstatuar shkeljen e Kodit Etik nga ana e ministrit Bujar Osmani.
“I pamë në mënyrë të detajuar, konstatuam se ekziston shkelje e Kodit Etik në kuptimin e përdorimit të automjeteve zyrtare për qëllime partiake në fushatë që është e qartë dhe decide se nuk lejohet sipas Kodit Etik andaj edhe do të shqiptohet masa paralajmërim, pasi është masë e cila Kodeksi e ofron si hap të parë”, tha Sllavica Gërkovska, zëvendëskryeministre.
Gërkovska tha se duke pasur parasysh situatën në Kuvend dhe bllokimin e tij, për momentin nuk mund të bëhen ndryshime ligjore urgjente për tu parandaluar keqpërdorimet e zyrtarëve, por thekson se kabineti i saj do të përpiqet të marrë masa në forma të tjera, për tu parandaluar keqpërdorimet. Ndërkohë Komisioni Anti-Korrupsion thotë se nismat e tyre, për fat të keq, vështirë procesohen nga Qeveria. Kjo qasje sipas Nuri Bajramit është për keqardhje.
“Për fat të keq jo efikas edhe veprimin e vet komisionit ku unë jam anëtar për arsye se ato gjetje që ne i vërtetojmë në procedurë administrative të paktën duhet të konfirmohen dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Por tek ne për fat të keq kemi korrupsion politik vazhdimisht, qoftë në punësime, qoftë në emërime, qoftë me menaxhimin e shumë fushave të sektorit publik, dikton politike dhe vazhdon për fat të keq mos reformimi i sistemit në tërësi, veçanërisht mos reformimi i sistemit me menaxhimin e resurseve njerëzore, qoftë në aspekt të punësimit qoftë në aspekt të emërimit dhe shkarkimit të organeve udhëheqëse”, theksoi Nuri Bajrami, Anëtar i Anti Korrupsionit.
Bajrami thotë se patjetër duhet të bëhet reformim i sistemit dhe t’i jepet përparësi meritokracisë. Kohë më parë komisioni për Parandalimin e Korrupsionit konstatoi se ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka keqpërdorur automjetet zyrtare për aktivitete partiake dhe zgjedhore. Nga Antikorrupsioni madje thanë se në Ministrinë e Jashtme nuk është gjetur as evidencë për shpenzimin e naftës dhe për shfrytëzimin e makinave zyrtare./Alsat.mk