Maqedoni

Halili: Një nga misionet e BDI-së është zhvillimi i shkencës

Sot misioni ynë përveç tjerash, është që të ndërtojmë edhe shkencën inovative, sipërmarrësin dhe ekonominë. Një popull i begatuar me dije dhe i fuqishëm në ekonomi as nuk gjunjëzohet as nuk nënçmohet as nuk nëpërkëmbet. Ky është misioni i ditëve tona”, tha Festim Halili – drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, në takimin e liderit të BDI-së Ali Ahmeti me përfaqësues të biznesit, shoqërisë civile, arsimit dhe intelektual në suaza të takimeve “Bashkë për Europë”.

“BDI ka pasur mision integrimin e shqiptarëve në strukturat shtetërore dhe mendoj se kjo pjesë është arritur me suksese. Sot të gjithë na akuzojnë se shqiptarët udhëheqin me gjysmën e Qeverisë, si dhe me ministrit më të fuqishme. Misioni i BDI-së sigurisht se filloi me luftën e vitit 2001, ndërsa kulminoi me legalizimin e Universitetit të Tetovës. Mendjet e ndritura kanë thënë, nëse do të shkatërrosh një popull, atëherë shkatërroja arsimin. Ndërsa misionari ynë tha, nëse duam ti ngrisim shqiptarët, atëherë duhet të ngrisim arsimin, tempujt e dijes dhe shkencës. Filloi me legalizimin e Universitetit të Tetovës, kemi mbështetur edhe Universitetin e Evropës Juglindore që të shndërrohet në privat publik, ndërsa sot kemi edhe një universitet tjetër publik në Shkup, Universitetin “ Nënë Tereza”, i cili mbanë vulën e këtyre misioneve dhe të BDI-së”, tha Halili.

Ai potencoi se për dallim nga vitet e 90’ kur studentët dhe profesorët, rriheshin e burgoseshin, sot kjo elitë e shoqërisë sonë është shtuar, është avancuar dhe po udhëheq shoqërinë dhe shtetin tonë.