Maqedoni

Takimi i Tiranës, Pendarovski: S’kam asnjë dyshim për qëllime të fshehta

Presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski, njëkohësisht komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, hedh poshtë zërat dhe dyshimet se takimet e liderëve politik nga vendi me kryeministrin shqiptar Edi Rama mund të paraqesin rrezik për shtetin. Sipas tij, opinioni maqedonas duhet të çlirohet nga kjo mendësi e vjetruar, pasi aktualisht Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vende anëtare të NATO-s dhe bashkudhëtare në procesin e integrimit evropian.

“Mos harroni, Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s; Republika e Shqipërisë, së bashku me ne, filloi negociatat për në BE; Republika e Shqipërisë është mikesha e jonë, kështu që s’kam asnjë dyshim për qëllime të fshehta të kryeministrit shqiptar, të cilin e njoh mjaftë mirë. Nuk mendoj se atje krijohen skenare antimaqedonase.”, – deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.

Pendarovski: S’kishte të bëjë me ndryshimet kushtetuese

Nuk mbajnë as hipotezat e ngritura, në disa media, se ky takim ka pasur për qëllim krijimin e shumicës për ndryshimin e kushtetutës, thekson Pendarovski, pasi të gjithë pjesëmarrësit, qëndrimin pro ndryshimeve e kishin deklaruar paraprakisht.

“Ka një aspekt që e dëgjoj në media, komente se atje janë mbledhur përfaqësues të një pjese të partive politike shqiptare që të bëjnë 2/3 për ndryshimet kushtetuese. S’ka nevojë që të ftohen. Të gjithë ata që ishin në Tiranë, disa muaj më parë, thanë se do të përkrahin ndryshimet kushtetuese në këtë kontekst. Nuk shoh asnjë prapaskenë, aq më pak diçka të keqe në atë takim.”, – theksoi presidenti, Stevo Pendarovski.

Vetë pjesëmarrësit në takim, deklaruan se integrimi evropian i dy vendeve ka qenë çështja për të cilën është diskutuar në tryezë.

Një ditë më parë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski hodhi poshtë çdo dyshim për qëllime dashakeqe. Tha se takime të tilla janë pozitive dhe të mirëseardhura pasi, siç theksoi, kryeministri shqiptar është dëshmuar si mik i madh i Maqedonisë së Veriut dhe promovues i integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit.