Maqedoni

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, marrëveshje kundër terrorizmit me KE-në

Komisioni Evropian nënshkroi sot një rishikim të marrëveshjeve dypalëshe me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke rinovuar aktivitetet për zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit për luftën kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të rrisë më tej bashkëpunimin në fushën e luftimit të terrorizmit, parandalimit dhe luftimit të ekstremizmit të dhunshëm. Marrëveshjet u nënshkruan nga Komisarja për Punë të Brendshme Ilva Johansson, Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë Bledar Çuçi dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski.

Komisarja e Punëve të Brendshme Ylva Johansson tha se plani i Përbashkët i Veprimit Kundër Terrorizmit mbetet një shtyllë e bashkëpunimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor për të garantuar sigurinë e përbashkët.

“Ne mirëpresim përparimin e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në zbatimin e veprimeve prioritare dhe nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve të rinovuara është një sinjal konkret i përfshirjes dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme për partnerët tanë”, tha Johansson.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi, deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes së rishikuar do të lejojë që së bashku me BE-në, të përballemi më mirë me kërcënimin që vjen nga terrorizmi, të përafrojmë legjislacionin tonë me legjislacionin e BE-së dhe të përmirësojmë kapacitetet tona.

“Shkëmbimi i informacionit në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të ofrojë një pasqyrë më të qartë të kërcënimeve reale dhe një gatishmëri më të mirë për t’u përballur me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm”, tha Çuçi.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, u shpreh se kërcënimet dhe sfidat e reja të sigurisë po shfaqen dhe po dëshmohet se bashkëpunimi ndërkombëtar është i një rëndësie të madhe.

“Marrëveshja e rishikuar do t’i mundësojë Maqedonisë së Veriut dhe BE-së të punojnë më ngushtë së bashku për të parashikuar, parandaluar, mbrojtur dhe përgjigjur kërcënimeve terroriste. Kjo marrëveshje gjithashtu mbulon fushën e luftimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe polarizimit të shoqërive tona të nxitura nga dezinformatat”, tha Spasovski.

Marrëveshjet e rishikuara ndërmjet Komisionit dhe autoriteteve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut identifikojnë veprime specifike prioritare në fushën e bashkëpunimit kundër terrorizmit që do të zbatohen gjatë viteve 2023 dhe 2024.

Autoritetet e të dyja vendeve synojnë t’i paraqesin Komisionit dy herë në vit raporte mbi gjendjen e zbatimit. Marrëveshjet parashikojnë mbështetjen e Komisionit për realizimin e aktiviteteve.TRT