Bogovina ka nevojë për një nivel më ndryshe të udhëheqjes komunale – me këto fjalë e ka nisur fjalimin e tij sonte në Bogovinë kryetari i Komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti.

Mexhiti vizitoi kandidatin e VLEN-it për Komunën e Bogovinës, Feti Abazin, duke theksuar se suksesi i kësaj komune varet drejtpërdrejt nga fitorja e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve. Ai theksoi se Abazi është një kandidat profesionist, me program real që adreson nevojat e qytetarëve.

“Pala tjetër nuk kishte program, prandaj humbi. Ne ofruam program dhe fituam. Kemi ditur ta bëjmë dallimin mes zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare. Ende flasim për ujë dhe kanalizim – kushte elementare për jetesë dinjitoze. Në këto zgjedhje, si lokale ashtu edhe parlamentare, shqiptari votoi për kandidatët e VLEN-it për katër vitet e ardhshme,” – deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se gjatë 15 muajve të fundit qeverisja e tyre nuk është përfshirë në afera korruptive apo ngjarje të montuara politike. Sipas tij, VLEN ka mbështetur komunat me projekte konkrete dhe jo për qëllime politike.

" "

“Komunat nuk duhet të përdoren për kalkulime politike, por për zgjidhjen e çështjeve elementare të qytetarëve. Faktori kryesor i largimit të të rinjve mbetet mungesa e kushteve bazike. Ne nuk kemi nevojë për slogane të mëdha – kërkojmë mbështetje për standard më të mirë jetese, në krye me Fetinë,” – shtoi ai.

sqShqip