Gëzuar dhe për shumë vjet Festën e “22 Nëntorit” nga Amerika e largët!
Shkruan: Prof. Bexhet Asani, New Jersey, USA
Dita e përfundimit të punimeve të Kongresit të Manastirit, 22 nëntori është festë kombëtare për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Si sot, më 22 nëntor të vitit 1908, përfundoi me sukses punimet Kongresi i Manastirit. Kjo datë historike për popullin shqiptar në Maqedoninë e Veriut kremtohet nëpër institucionet shtetërore, në universitete, shkolla fillore dhe të mesme, me aktivitete letraro-muzikore e kulturore.
Dita e përfundimit të Kongresit të Manastirit duhet të shpallet festë kombëtare edhe në Republikën e Kosovës e në Republikën e Shqipërisë. Ne jemi një popull. Kemi një flamur. Kemi njjë gjuhë. Kemi një Skënderbe. Duhet të kemi një festë kombëtare siç është “22 Nëntori”.
Me afabetin e këtij Kongresi, me këto shkronja të skalitura me gjak, shërbehen gjithë shqiptarët në rruzullin tokësor.
Duhet të theksoj se derisa isha pedagog në Gjimnazin e Strugës, Manastirin sidomos Shtëpinë e Kongresit, më 22 nëntor, e bëra Qendër Pelegrinazhi për nxënësit dhe koleget e kolegët e mi. Atje, në Manastir domosdo do të na priste rilindësi i fundit i Manastirit mësuesi dhe gazetari Qenan Hasani.
Shfrytëzoj rastin që sot nga Federata Panshqiptare “Vatra” t’ i drejtohem drejtorit të Muzeut të Alfabetit, në Manastir Zait Aliut që 11 anëtarëve të Komisioit të Kongresit të Manastirit t’ i shtojë edhe dy manekine me qëllim që të mos jenë të gjithë burra, por atyre burrave të shquar t’ u shtohen edhe mësueset e Popullit Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Ndonjëri mund të thotë se ato nuk kanë qenë anëtare të Komisionit?! Po. Është e vërtetë. Po ç’ faj kishin ato që atë kohë femrat nuk kishin të drejtën e votës?! Ato ishin të lidhura ngushtë me punimet dhe vendimet e Kongresit.
Motrat Qiriazi përcillnin të gjitha seancat qofshin ato plenare qofshin ato të fshehta. Vetëm pas disa muajve Parashqevi Qiriazi e botoi Abetaren e parë, të cilën do ta quaj “Abetare me shkronjat e bashkuara”. Ja pse këto mësuese duhet të jenë në mesin e anëtarëve të Komisionit. Rroj me shpresën që herën tjetër kur të vizitojë e të vizitoni ju të nderuar Muzeun e Alfabetit t’ i shikojmë edhe motrat tona Sevastinë dhe Parashqevinë, bashkë me ata burra të shquar sepse edhe ato ishin të shquara dhe ndihmuan me mish e me shpirt që sot të kemi këto 36 shkronja të arta.