Kosovë

Borrell: Vuçiqi e pranoi marrëveshjen, Kurti jo

Edhe pas takimit tetë orësh në Bruksel, nuk është arritur ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me targat.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, në konferencën për media të mbajtur të hënën pas takimin, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pranuar marrëveshjen që të suspendohet vendimi i Qeverisë për targat.

“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti, edhe pas 8 orësh diskutimesh, nuk kane arritur marrëveshje. Vuçiq e pranoi propozimin por Kurti jo. Ne presim që Kosova të suspendojë vendimin për targa”, ka theksuar Borrell.

Ai tutje ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar marrëveshjen që Serbia të mos e furnizojë veriun e Kosovës me targa KM.

Borrell ka theksuar se këtë kohë kriza është më e thellë.

“Që prej gushtit çështja e targave është vështirësuar. Kosova ka vendosur që prej sonte në mesnatë të fillojë gjobitjen e personave që nuk i kanë ndërruar tabelat. Shumë policë dhe komandantë serbë e kanë lënë detyrën e tyre për shkak të kësaj. Situata është shumë e brishtë. Ne kemi misionin e EULEX-it dhe KFOR-in, por ata nuk mund ta marrin përsipër rolin e policisë”, ka theksuar Borrell.

Borrell ka thënë se do të njoftojë ministrat e jashtëm të BE-së dhe partnerët ndërkombëtarë për sjelljen e palëve në dialog e për dialogun në përgjithësi.

Ai veçanërisht ka qenë kritik ndaj Kosovës që nuk po respekton marrëveshjet ndërkombëtare.

“Do të informojë shtetet anëtare të BE-së, ministrat e jashtëm dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe mungesë totale respekti ndaj obligimeve të tyre ligjore ndërkombëtare, dhe kjo vlen veçanërisht për Kosovën. Kjo dërgon një sinjal shumë negativ politik”, ka thënë Borrell. “E di se kjo dërgon sinjal negativ politik. E bëjë shumë të qartë për të dyja palët, se nëse futja në BE është synim e tyre, atëherë të sillen në frymë të tillë”.

Sipas tij sundimi i ligjit nuk mund të merret si pretekst për tensionim të situatës.

“Sundimi i ligjit nuk duhet të merret si pretekst për eskalim të situatës dhe për tensione, kur nuk i respekton marrëveshjet e arritura vite më parë në dialog. Bashkimi Evropian dhe partnerët kanë bërë thirrje vazhdimisht për de-përshkallëzim të situatës. Ne jemi preokupuar prej kësaj vere me këtë çështje duke u munduar t’i shtyjmë afatet”, është shprehur Borrell.

Ai ka thënë se shpreson që të dyja palët do të punojnë për të evituar përshkaallësimin e mundshëm të situatës.

“Unë do ta mbajë dialogun lartë në agjendën time, me përkrahjen e përfaqësuesit special Miroslav Lajçak, të cilin dua ta përgëzojë për punën e tij, durimin, përkushtimin. Propozimi që kishim, e që ka marrë përkrahje të madhe nga Franca e Gjermania, mendoj se është mënyra e mundur për të dalë nga situata me perspektivë të normalizimit. Shpresoj që të dyja palët të evitojnë përshkallëzimin dhe krijimin e një krize të re”, ka thënë Borrell.