May 1, 2024
Kosovë

Putin e ka dhënë “bekimin”, Serbia po përgatitet për luftë të re në Kosovë

Veriu i Kosovës duket se është shndërruar sërish në “një fuçi baruti”. Kjo pjesë e vendit të trazuar, që nga mbarimi i luftës është hasur me probleme, incidente, sabotim të shtetit dhe kërcënim për sigurinë. Megjithatë, që prej vitit të kaluar ai është shndërruar në alarm për rajonin, por jo vetëm. Së fundmi kjo zonë e Kosovës, që nuk njeh qetësi ka tërhequr vëmendjen e gazetarëve të medias britanike “The Telegraph”, të cilët kanë vizituar komunat veriore. Në një artikull të publikuar posaçërisht për veriun e vendit, thuhet se siguria u rrit ndërsa frika rritet se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç po planifikon një pushtim të ndihmuar nga aleati i tij Vladimir Putin. Ndërkohë pas publikimit të këtij artikulli, dje Vuçiç i quajti mashtrime këto shkrime.
Detaje nga shkrimi
Situata nuk duket aspak e qetë duke marrë parasysh edhe qëndrimet e Listës Serbe për mos votimin e shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në veri. Kjo ka bërë që ekspertë të ndryshëm të aludojnë se kjo parti po përgatitet për bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme në atë pjesë të Kosovës. Ndaj, sipas ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi, së shpejti mund të trazohet sërish veriu nga bandat kriminale. Dhe sigurisht, në këtë kontekst lindin dyshime se edhe kjo ngjarje është e orkestruar nga Serbia, që mesa duket po përgatit terrenin për pushtim, ashtu siç shkruan edhe media britanike.
Tensionet në veri
Ndërsa nacionalistët i bëjnë thirrje Vuçi?it që të veprojë për të “mbrojtur” serbët që janë të detyruar të jetojnë “nën sundimin e Kosovës”. Siç shkruan “The Telegraph”, para se policia e Kosovës të fillojë patrullimin në kufirin me Serbinë, i ngarkon armët: AK-47 janë ngjitur në pjesën e pasme të sediljeve, pistoletat anash këmbëve, derisa bagazhi i një Land Rover është mbushur me dronë e jelekë antiplumb. Dhe ky, thotë ai, tani është protokoll standard në një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin evropian. Kur njerëzit e pyesin Venton Elshanin, zëvendëskomandantin e policisë në veri të Kosovës se si është situata, ai thjesht u tregon përgatitjet që po bën për patrullë. “I shikon armët?” tha ai, para se t’i çonte gazetarët e Telegrafit në kufi, “këto janë për t’i mbajtur policët. Situata nuk është e mirë”.
Frika nga pushtimi
Mediat britanike vënë në dukje rritjen e tensioneve të fundit mes minoritetit serb dhe shumicës shqiptare. Frika për një konflikt të ri u rrit veçanërisht në vitin 2023 kur një grup serbësh të armatosur ‘pushtuan’ fshatin Banjskë në veri dhe u barrikaduan në manastir. Tre nga 30 personat e dyshuar se ndodheshin aty u vranë nga të shtënat. Ndërsa një polic i Kosovës humbi jetën. Që nga ajo ditë, Policia e Kosovës ka shtuar patrullimin kufitar pasi serbët bllokuar tendencën e serbëve për të vepruar ilegalisht. Policia ka identifikuar 65 rrugë të paligjshme dhe të gjitha janë të bllokuara, 10 rrugë të tjera mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm, kryesisht me dron. Prezenca e përhershme në rajonin me shumicë serbe i dërgoi mesazh Beogradit se Kosova po i mbron kufijtë e saj, tha komandanti Elshani. “Kur derdhet gjak, atëherë është problem”. Analistët paralajmërojnë se propaganda e Kremlinit po nxit trazira në veri të vendit, ku 93 për qind janë shqiptarë dhe 4 për qind janë serbë. Shumica e serbëve në Kosovë ende e konsiderojnë Beogradin, i cili kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si qendër të tyre institucionale.
Bazat në formë patkoi
Në një intervistë për “The Telegraph”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se presidenti i Serbisë Vuçiç po planifikon një pushtim. Ai tha se Serbia ndërtoi baza operative përpara rreth kufirit në një “formë patkoi” për të “mbrojtur Beogradin dhe sulmuar Kosovën”.Është e vërtetë që Serbia ka 48 pika të ndryshme ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Ato janë disa pika ushtarake nga të cilat 28 i përkasin ushtrisë serbe, dhe 20 i përkasin xhandarmërisë serbe. Bazuar në fjalët e vetë presidentit Vuçiç, Kurti beson se presidenti i Serbisë po pret një rast për të pushtuar. Miqësia e Vuçiçit me Vladimir Putinin është e njohur dhe Kurti beson se është në interes të liderit rus që Serbia të pushtojë Kosovën, sepse kjo do të largonte vëmendjen nga lufta e tij në Ukrainë.