Kolumna

Buxhet për rritje të nivelit të rritjes ekonomike në kohë krize dhe përshpejtim në periudhë afatmesme

Shkruan: Fatmir Besimi, Ministër i Financave

Javën e ardhshme në Kuvend fillon diskutimi për Buxhetin e vitit 2023. Vazhdon procesi demokratik i miratimit të planit më gjithëpërfshirës së politikave dhe masave të Qeverisë gjatë një viti fiskal. Pres që interesimi për diskutim të jetë i madh këtë vit, duke pasur parasysh kontekstin aktual global, por edhe karakteristikat e reja të buxhetit, për shkak të Ligjit të ri të Buxheteve.

Diskutimet e tilla janë gjithmonë të mirëseardhura. Lufta e mendimeve është shumë e rëndësishme – kruciale në miratimin e vendimeve sinjifikative. Transparenca është elementi i dytë kyç. Si rrjedhojë, në shtëpinë e demokracisë unë si ministër së bashku me ekipin e Ministrisë e Financave me llogaridhënie dhe transparencë do ta arsyetojmë dhe mbrojmë propozimin para të përzgjedhurve të popullit. Do të theksoj se përveç bilancit të të hyrave dhe shpenzimeve, do të flasim për një koncept shumë më të gjerë të politikave, sepse fillimisht nevojitet që ekonomia të rimëkëmbet dhe më pas të vendosen politika adekuate për përshpejtimin e rritjes dhe konsolidimin e financave publike në periudhë afatmesme.

Gjatë tre viteve të fundit, ekonomia jonë, ashtu si ekonomitë e tjera në botë është duke kaluar nëpër sfida të mëdha. Pandemia, më tej kriza energjetike dhe presionet e çmimeve, të përforcuara nga pasiguria si rezultat i luftës në Ukrainë, ishin arsye reale se pse nuk u arritën rezultatet e dëshiruara ekonomike. Por, kjo nuk do të thotë se pas stabilizimit të zhvillimeve globale, strategjitë e përcaktuara, mjetet dhe masat e planifikuara nuk do t’i japin rezultatet e synuara në vijim. Kur flasim për rritjen dhe zhvillimin ekonomik, ky nuk është proces që mund të arrihet vetëm brenda një viti, por proces afatgjatë ndryshimesh strukturore që do të japin rezultate të qëndrueshme. Karakteri afatmesëm i buxhetit dhe inkorporimi i tij në dokumente strategjike si Plani i qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjes së rritjes ekonomike, Plani i investimeve publike dhe Plani i rritjes së përshpejtuar ekonomike, si kornizë e përgjithshme është hap i rëndësishëm në përpjekjet për arritjen e qëllimeve.

Institucionet ndërkombëtare e shohin krizën Covid-19 si pikë kthese për të ardhmen e ekonomisë globale, veçanërisht për ekonomitë më pak të zhvilluara dhe ato në zhvillim. Pavarësisht se efektet e pandemisë duket se janë tejkaluar, sfidat ekonomike me të cilat përballet tashmë ekonomia botërore, respektivisht rritja e lartë e çmimeve dhe normat e inflacionit, si dhe sfidat në sigurimin e energjisë, janë si pasojë e ndërlidhjes së tyre ose efekteve të zgjatura të krizës së Covid-it.

Raporti i rritjes globale 2022 i Bankës Botërore thekson se ekonomitë në zhvillim vijojnë me hapësirë ​​të kufizuar fiskale pas krizës Covid-19 dhe tani janë edhe më të ndjeshme ndaj procesit të normalizimit të politikës monetare në ekonomitë e zhvilluara. Në Raport theksohet nevoja për detektimin e hershëm të rreziqeve të fshehura financiare, sepse bilanci i sektorëve të amvisërive, sektorit të korporatave, institucioneve financiare dhe qeverive janë të lidhura ngushtë. Theksohet gjithashtu nevoja për ristrukturimin e borxhit, si dhe sigurimin e qasjes në financa. Si prioritete në periudhën pas pandemisë, grupi G-20 thekson gatishmërinë për të vepruar në fushën e shëndetësisë, transformimit dixhital dhe përfshirjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në ekosistemin dixhital, si dhe tranzicionin energjetik të qëndrueshëm drejt burimeve më të pastra të energjisë.

Po të shohim aspektet e përbashkëta të teorive ekonomike të rritjes ekonomike – klasike, neoklasike dhe moderne, në të gjitha këto zhvillimi i teknologjisë dhe inovacionet theksohen si nxitës për përshpejtimin e rritjes ekonomike. Gjithashtu, këtu përfshihen investimet, si në kapitalin fizik ashtu edhe në atë njerëzor. Për shembull, teoria klasike e Smith dhe Ricardo e bazon rritjen ekonomike në akumulimin e kapitalit, riinvestimin, specializimin dhe inovacionin. Pikëpamja neoklasike është se rritja ekonomike është rezultat i tre faktorëve – punës, kapitalit dhe teknologjisë. Teoria moderne e rritjes ekonomike e percepton inovacionin dhe shkencën si forcën lëvizëse për stimulimin e rritjes ekonomike. Respektivisht, teoritë endogjene të rritjes ekonomike, të cilat tregojnë se nxitësit e rritjes janë involvuar në kuadër të sistemit, përkatësisht rritja e inovacionit dhe kapitalit njerëzor gjenerojnë potencial të ri për rritje dhe kështu tejkalim të rendimenteve në rënie të burimeve të kufizuara si faktorë të prodhimit.

Duke shqyrtuar të gjithë këta faktorë në mjedisin bashkëkohor pas pandemisë së covid-it dhe duke iu referuar karakteristikave specifike të ekonomisë sonë, në këtë kolumnë do të shtjelloj disa mendime më të përgjithshme por thelbësore mbi udhëzimet për rritje më të lartë ekonomike në vendin tonë. Në vijim, pesë hapa kyçe për përshpwejtimin e rritjes ekonomike.

1. Konsolidimi fiskal gradual dhe i zbatueshëm
Që të flasim për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe shfrytëzimin e financave publike për stimulimin e rritjes, para së gjithash, duhet të ekzistojë hapësirë ​​fiskale. Pandemia dhe më pas kriza energjetike ndikuan në rritjen e nivelit të borxhit publik në shumicën e vendeve në zhvillim (pas pandemisë, borxhi publik në vendet e Evropës Juglindore u rrit mesatarisht me dhjetë pikë përqindje). Me këtë, hapësira fiskale për të vepruar u ngushtua dhe rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për këto ekonomi ishin që reagimi fiskal në krizën energjetike dhe të çmimeve të targetohet me qëllim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik. Konkludojmë se konsolidimi fiskal është i pashmangshëm që të mund të flasim për politika ekonomike që do ta stimulojnë rritjen ekonomike.
Por nga ana tjetër, shtrëngimi i fuqishëm fiskal, veçanërisht në periudhë kur rritja ekonomike ngadalësohet, mund të shkaktojë tkurrje të ekonomisë dhe pasoja negative. Si rrjedhojë, pasi kaluam goditjen e parë dhe më të fuqishme të pandemisë, filluam me uljen graduale të deficitit të buxhetit. Me Propozim buxhetin e ri të vitit 2023, deficiti i buxhetit ulet për 0.7 pikë përqindje krahasuar me projeksionin e vitit 2022. Pikësynimi ynë është që në periudhë afatmesme ai gradualisht të ulet nën 3%, respektivisht nën kriterin e Mastrihtit.
Kam shkruar disa herë për strategjinë lidhur me atë se si të ngushtohet deficiti, respektivisht diferenca midis të hyrave dhe shpenzimeve, pa dëmtuar rritjen ekonomike. Megjithatë, vlen të theksohet sërish se kjo do të arrihet përmes masave të kombinuara. Këto masa përfshijnë përmirësimin e arkëtimit të të hyrave të buxhetit, nëpërmjet përforcimit të kapaciteteve administrative dhe përmirësimit të shërbimeve të DHP-së dhe Doganës, masave për uljen e ekonomisë gri dhe reformën tatimore. Po ashtu orientohemi drejt uljes dhe ristrukturimit të shpenzimeve të buxhetit, uljes së shpenzimeve rrjedhëse dhe rishikimit të metodologjive të transfertave dhe subvencioneve. Në këtë drejtim, tashmë u miratua Plani i qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjes së rritjes ekonomike. Gjithashtu, masat në anën e shpenzimeve, përveç kursimit, parashikojnë edhe përmirësim të cilësisë së shpenzimeve, respektivisht rritje të pjesëmarrjes së shpenzimeve kapitale (siç është në Propozim buxhetin e vitit 2023), përkrahje më të madhe për sektorin privat dhe përkrahje për inovacione dhe përforcim të konkurrencës.
Pjesa e tretë e masave të konsolidimit fiskal i referohet ndryshimit të burimeve të financimit të deficitit të buxhetit, por edhe financimit dhe zbatimit të projekteve të caktuara nëpërmjet partneriteteve publike dhe private, Fondit zhvillimor të investimeve strategjike dhe mobilizimit të kapitalit financiar nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe nëpërmjet sektorit privat. Shembull adekuat i masave të llojit të tretë është menaxhimi i sivjetshëm i portofolit të borxhit për financimin e deficitit në një mjedis jashtëzakonisht të vështirë ku kostoja e kapitalit është rritur dukshëm, për shkak të shtrëngimit të politikës monetare nga bankat e mëdha qendrore.
Përkatësisht, me kombinimin e instrumentit të pazbatuar deri më tani – fletobligacione në tregun e kapitalit të Gjermanisë, shfrytëzimit të mjeteve nëpërmjet Instrumentit për përkujdesje dhe likuiditet të FMN-së (javën e kaluar Kuvendi miratoi Propozim ligjin i cili do të na mundësojë vendosjen në dispozicion të 530 milionë eurove në periudhë dyvjeçare), si dhe mjeteve nga tregu i brendshëm i kapitalit, ku vetëm në bazë të interesit u kursyen disa dhjetëra miliona euro.
Gjithashtu, në drejtim të diversifikimit të burimeve të financimit, do të punohet për përmirësimin e tregut financiar të letrave shtetërore me vlerë, ku më hollësisht do të elaboroj në vijim të tekstit.
Ligji reformues i Buxheteve, vendos mekanizma për kontrollimin e borxhit publik dhe deficitit të buxhetit. Ligji mundëson vendosjen e rregullave fiskale për borxhin dhe deficitin e buxhetit, si dhe vendosjen e bazës ligjore për themelimin e Këshillit Fiskal – organ i pavarur që do kontrollojë zbatimin e rregullave fiskale.

2. Strategji dhe plan adekuat për përshpejtimin e rritjes ekonomike
Mesazhit dhe udhëzimit paraprak i ndërlidhet edhe mesazhi vijues. Për ta përshpejtuar rritjen, nevojiten financa, investime, kapital i ri, ku duhet të kërkohen burime të tjera përveç sektorit publik. Prandaj, nevojitet strategji dhe plan adekuat në këtë drejtim.
Strategjia e rimëkëmbjes ekonomike, rritjes së përshpejtuar dhe të qëndrueshme (SmartER Growth), mbi të cilën bazohet Plani i rimëkëmbjes ekonomike dhe rritjes së përshpejtuar, përbëhet nga katër shtylla: (i) rimëkëmbja ekonomike, (ii) rritja ekonomike e përshpejtuar, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, (iii) përforcimi i konkurrencës së sektorit privat dhe (iv) zhvillimi i burimeve njerëzore dhe mundësive të barabarta. Në kuadër të kësaj strategjie më sinjifikative janë masat për qëndrueshmërinë e financave publike, investimet në kapitalin njerëzor, investimet në kapitalin fizik, respektivisht në infrastrukturë, dixhitalizim, zhvillim të barabartë lokal dhe rajonal, mjedis jetësor të qëndrueshëm.
Plani i rimëkëmbjes dhe rritjes së përshpejtuar ekonomike bazohet në parimin e planit të Juncker-it, gjegjësisht krahas kapitalit publik, mobilizim edhe të kapitalit privat dhe vënien e tij në funksion të zhvillimit ekonomik. Me krijimin dhe shfrytëzimin e mekanizmave, instrumenteve, fondeve dhe burimeve të reja të financimit qëllimi është që të krijohet efekti multiplikativ dhe krahas investimeve publike të mobilizohen disa herë më shumë mjete dhe investime nga sektori privat, krahas investimeve nga sektori publik. Fondet zhvillimore, fondet e përkrahjes së inovacionit, fondet garantuese, fondet ekvite, fondet e kapitalit sipërmarrës (venture) dhe instrumentet e ngjashme për përkrahjen e kompanive të eksportit, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjeve sociale, partneriteteve publike dhe private, koncesioneve dhe instrumenteve të tjera janë pjesë e këtij plani. Me këto mjete do të përkrahen projektet në sektorin publik dhe privat që do të përmirësojnë konkurrencën e ekonomisë dhe do të përmirësojnë cilësinë e jetesës, mjedisin, dixhitalizimin, inovacionin, kapitalin njerëzor dhe inkluzivitetin shoqëror.
Në drejtim të diversifikimit të burimeve të financimit është edhe zhvillimi i tregut të brendshëm të kapitalit nëpërmjet vendosjes së llojeve të reja të instrumenteve financiare që do të kenë zbatim të ndryshëm. Është planifikuar vendosja e “fletobligacioneve zhvillimore” që do ta nxisin financimin e projekteve zhvillimore në vend. Qytetarët do të mund t’i plasojnë kursimet e tyre në këto instrumente më të sigurta financiare, për të arritur rendiment, duke reduktuar kursimet me para të gatshme dhe njëkohësisht duke përkrahur rritjen ekonomike. Gjithashtu, planifikohet vendosja e “fletobligacioneve të gjelbra”, të destinuara drejt inkurajimit dhe përkrahjes së projekteve për përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Gjithashtu është planifikuar vendosja e “fletobligacioneve projektuese”, që do të jenë mënyrë alternative e financimit të projekteve që lidhen me infrastrukturën, të destinuara për investitorët institucionalë.

3. Investime në kapitalin njerëzor dhe fizik
Investimet publike dhe private – janë motori i rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Investimi, si në kapitalin njerëzor ashtu edhe në atë fizik është pjesa multiplikative e ekuacionit të produktit të brendshëm bruto. Si rrjedhojë, fokusin e kemi te investimet, përfshirë edhe propozim buxhetin e ri.
Investimet në kapitalin njerëzor janë veçuar si një nga pesë prioritetet kryesore të Qeverisë. Do të theksoj se me asistencë teknike nga Banka Botërore punojmë mbi Strategjinë e zhvillimit të kapitalit njerëzor, me ç’rast vendi radhitet si i pari në rajon që posedon një dokument të tillë strategjik.
Sa i përket investimeve në zhvillimin e infrastrukturës, impenjimi ynë është që me çdo buxhet investimet të jenë më të larta. Struktura e buxhetit ndryshon në interes të komponentit zhvillimor. Investimet rriten me çdo buxhet vijues. Ndonëse realizimi i investimeve vihet në pah disa herë në publik, duhet theksuar se edhe duke planifikuar vlerën më të lartë, nxitet realizimi më i lartë. Gjithashtu, janë zbatuar mekanizma si CAPEF, që synojnë të nxisin realizimin si përqindje nga vlera e planifikuar.
Vitin e ardhshëm kemi planifikuar rreth 50% më shumë shpenzime kapitale në krahasim me vitin aktual. Sipas konceptimit të këtij buxheti, udhëhiqemi nga “rregulli i artë” në financat publike – huamarrja, respektivisht deficiti, vetëm në funksion të përkrahjes së investimeve të reja.

4. Dixhitalizimi
Stimulimi shtesë i rritjes ekonomike mund të arrihet përmes dixhitalizimit. Dixhitalizimi njihet si forcë lëvizëse e rritjes ekonomike në kushte moderne, si në ekonomitë e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim. Ai është katalizator i rritjes së produktivitetit të punës dhe kapitalit, si dhe mënyrë për të marrë produkte dhe shërbime me çmim më të ulët. Dixhitalizimi në sektorin publik do të përmirësojë shërbimet për sektorin privat dhe do të thjeshtojë procedurat, ndërsa në sektorin privat do ta stimulojë inovacionin dhe konkurrencën.
Me këtë rast, do të fokusohem në dixhitalizimin në financat publike, konkretisht në sistemin e integruar informativ IFMIS, i cili rregullohet me Ligjin e ri të Buxheteve. Ky sistem duhet të përmirësojë efikasitetin dhe transparencën e operacioneve të menaxhimit të financave publike nëpërmjet tranzicionit nga sistemet ekzistuese të fragmentuara dhe sistemet të pandërlidhura në platformë të përbashkët të centralizuar të bazuar në ueb.
IFMIS-ja pritet që ta përkrahë modifikimin e kornizës ligjore dhe institucionale të buxhetit dhe të reagojë ndaj sfidave ekzistuese nëpërmjet zgjerimit të përfshirjes në fushën e monitorimit të realizimit të buxhetit dhe raportimit fiskal, duke përfshirë të gjitha fazat e ciklit të shpenzimeve (nga prokurimi deri në pagesë), si dhe duke pasur pasqyrë të konsoliduar të shpenzimeve publike në kohë.
IFMIS-ja do të mundësojë, ndër të tjera, krijimin e kornizës shumëvjeçare, vendosjen e funksionit të menaxhimit të investimeve publike në lidhje me sistemin e ardhshëm të investimeve publike dhe private, sistemin e automatizuar për monitorimin e detyrimeve, përfshirë detyrimet shumëvjeçare dhe të dhënat e centralizuara për detyrimet e ndërmarra, menaxhimin e mjeteve fikse dhe menaxhimin e borxhit. Në vazhdimësi, integrimi i tij do të mundësojë qasje gjithëpërfshirëse dhe në kohë në të dhënat e financave publike të cilat do të kontribuojnë në rritjen e efikasitetit në projektimin e likuiditetit dhe menaxhimin e fluksit financiar në raport me buxhetin. Për zbatimin e këtij projekti, javën e kaluar në Kuvend u miratua ligji, i cili do të vendosë bashkëpunim me Bankën Botërore.

5. Qëndrueshmëria
Që nga fillimi i krizës së fundit, fjala kyçe është sigurisht “qëndrueshmëria”. Energjia e qëndrueshme, bujqësia e qëndrueshme, financat e qëndrueshme janë tema aktuale mes hartuesve të politikave. Qëndrueshmëria është gërshetimi i politikave smart dhe të adaptueshme që do të jepnin rezultate për periudhë më të gjatë. Prandaj, diskutimi dhe zbatimi i këtyre politikave kanë rëndësi të jashtëzakonshme për arritjen e rritjes së dëshiruar të përshpejtuar dhe të qëndrueshme. Në kuadër të axhendës së investimeve, sigurisht që e kemi parasysh këtë aspekt, ndërkohë që në financa, përveç konsolidimit fiskal, janë edhe politikat zhvillimore buxhetore dhe decentralizimi fiskal.

Rezistencë gjatë krizës dhe rritje të përshpejtur më tej
Përshpejtimi i rritjes ekonomike sigurisht që nuk ka formulë të caktuar, por hapat të cilat i shtjelloj kanë rol të rëndësishëm në arritjen e saj. Konsekuenca e zbatimit të politikave është gjithashtu kruciale në rezultatin e përgjithshëm. Rëndësi ka që të veprohet hap pas hapi dhe në vazhdim të përshpejtohet zbatimi. Kjo është rruga drejt zhvillimit ekonomik dhe standardit më të mirë të jetesës për të gjithë ne qytetarët.
Konsistenca, përkushtimi dhe qëndrueshmëria janë çelësi i suksesit. Kjo ngjan me organizmin e njeriut, veçanërisht karakteristik e sportistëve. Ata duhet të përgatiten vazhdimisht për ta mbajtur organizmin në kondicion fizik të shkëlqyer, që ta përballojnë lodhjen dhe me sukses ta arrijnë qëllimin me rezultate më të mira! Po ashtu edhe në ekonomi, punojmë vazhdimisht për reforma dhe politika që na mundësojnë ruajtjen e nivelit të rritjes në kohë krize dhe përshpejtim të saj në periudhë afatmesme dhe afatgjate.