Diaspora

Diaspora shqiptare në Amerikë filloi aktivitetet festive për Nëntorin Kuq e Zi

Kanë filluar aktivitetet e diasporës sonë në SHBA për shënimin e Nëntorit Kuq e Zi.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, organizoi promovimin e krijimtarisë letrare në poezi të shkrimtarit Jeton Kelmendi “Një ardhje tjetër” dhe anëtares së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë Bora Balaj me romanin e saj “Heshtja”. Kryetari i shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Mëhill Velaj, në fjalën e tij u ndal te veprimtaria e Jeton Kelmendit si poet, shkrimtar e analist dhe çmimet kombëtare e ndërkombëtare të fituara prej tij.

Velaj u ndal dhe te kontributi i Bora Balaj në letërsi dhe etnokulturë. Dr. Pashko Camaj përshëndeti aktivitetin në emër të Federatës Vatra dhe theksoi se romani i Bora Balaj tregon krimet serbe në Kosovë, një të vërtetë historike që duhet përkthyer në gjuhën angleze. Presidenti i shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Adnan Mehmeti ekspozoi para të pranishmëve punën krijuese të autorëve Balaj e Kelmendi dhe aktivitetet e shoqatës në përmbyllje të vitit kalendarik. Kritiku letrar Pal Ndrecaj në fjalën e tij tha se libri i Bora Balaj është një rrëfim historik, një rrëfim për luftën, një përjetim personal për një ngjarje kolektive.

Autori Jeton Kelmendi në fjalën e tij tha se romani “Heshtja” i Bora Balaj në vetvete është përshkrimi i një drame të tmerrshme për shqiptarët në Kosovë. Personazhi i librit nuk është fajtore, është heroinë. Merita e romanit qëndron te “ngritja e vetëdijes se e keqja duhet denoncuar dhe bërë publike” tha Kelmendi. Regjizori Astrit Tota vlerësoi Bora Balajn për librin, punën e saj në kostumografi dhe krijimet e Jeton Kelmendit. Jeton Këlmendi rrëfeu prozën, poezinë, lirikën, krijimtarinë letrare shqiptare në trojet shqipfolëse dhe vështirësitë e përkthimit në gjuhë të huaj të letërsisë shqiptare. “Ne duhet të krijojmë, dokumentojnë e përkthejmë në gjuhë të huaj. Roli i shqiptarëve në Ballkan po rritet gjithnjë e më shumë” nënvizoi shkrimtari Kelmendi. Profesor i letërsisë Bill Wolak vlerësoi shpirtin kozmopolit të krijuesit Jeton Këlmendi dhe specifikën e krijimtarisë së tij rreth luftës si pjesëmarrës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Shkrimtarja Bora Balaj në fjalën e saj ekspozoi për gjithë të pranishmit vështirësitë dhe emocionet në shkrimin e librit për dramën e femrës shqiptare në Kosovë. Në përfundim të promovimit edhe Profesor Bexhet Asani foli rreth rëndësisë së jashtëzakonshme të krijimtarisë së Jeton Kelmendit dhe Bora Balaj. Në përfundim të aktivitetit, u shtrua një koktejl për të gjithë të pranishmit nga shkrimtarja Bora Balaj.

Në kuadër të manifestimeve të muajit nëntor që organizon mërgata jonë në SHBA, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë dhe Shoqata e Grave “Marigona”, më 19 nëntor do të organizojnë orë letrare kushtuar ditës së Alfabetit “22 Nëntorit”, ku poeteshat dhe poetët tanë do të lexojnë poezitë e tyre.
Ora Letrare do të mbahet në selinë e shoqatës “Vatra” në Nju Jork, me fillim në ora 12.00.
Për historikun e 22 Nëntorit do të flasë prof. Bexhet Asani.
Në këtë manifestim do të marin pjesë poetesha dhe poetë nga Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Keneriku, kurse për tre më të suksesshmit do të ndahen mirënjohje.