May 19, 2024
Maqedoni

Biznesmeni Lazim Destani me Albin Kurtin në Forumin Ekonomik të Vjenës

I ftuar nga Forumi Ekonomik i Vienës (FEV), pronari i kompanisë Ecolog nga Tetova Lazim Destani, mori pjesë në këtë ngjarje të përvitshme, e 19-ta me radhë, me temë “Ekonomia takon politikën”që i zhvilloi punimet në kryeqytetin austriak. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm Kryeministra të vendeve anëtare të FEV, përfaqësues të institucioneve europiane si dhe përfaqësues të lartë politik të rajonit dhe të ekonomisë europiane e globale.
“Këtu pata mundësinë të takoj përfaqësues të kompanive shumë të suksesshme si, Reifeisen International Bank, A1 Telekom Austria Group AG si dhe kompani të tjera austriake e europiane. Në kuadër të Forumit gjithashtu zhvilluam një takim me Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti, me ç’rast diskutuam mbi mundësi të reja investimi në Kosovë”, njoftoi bisnesmeni Destani.
Forumi i zhvilloi punimet në tre seanca njëra pas tjetrës ku nga diskutimet e zhvilluara në këto panele interesim të veçantë zgjoi paneli me temë, “Forcimi i bashkëpunimit mes ekonomisë rajonale dhe politikës – cila është rruga më e përshtatshme?”.