Rajon - Botë

“Urdhri për sulmin terrorist në Istanbul është dhënë nga qendra e organizatës terroriste PKK/PYD/YPG në Kobani”

Për të dyshuarën me origjinë siriane Ahlam Albashir e cila është përcaktuar se ka lënë bombën në vendin e ngjarjes në bulevardin Beyoğlu Istiklal në Istanbul, thuhet se urdhrin e sulmit ajo e ka marrë nga qendra e organizatës terroriste PKK/PYD/YPG në Kobani të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Drejtoria e Policisë së Istanbulit thuhet se është kryer një punim lidhur me sulmin terrorist me bombë që ndodhi dje në bulevardin Istiklal në zonën Taksim të Istanbulit.

Në deklaratë bëhet e ditur se janë ekzaminuar 1.200 kamera sigurie që shikojnë destinacionet e ardhjes dhe largimit të gruas së dyshuar për vendosjen e bombës në vendin e ngjarjes dhe se gjatë kësaj është përcaktuar që personi në fjalë është larguar nga vendi i ngjarjes me një taksi dhe ka shkuar në rajonin Esenler.

“Në operacionin e ndërmarrë janë kapur dhe ndaluar 46 persona ndërsa në marrjen në pyetje të peronave u përcaktua se personi që vendosi bombën ndodhej në një adresë në rajonin Küçükçekmece. Në adresën e përcaktuar u krye një operacion në orën 02:50 dhe u kap e gjallë personi (grua) Ahlam Albashir me origjinë siriane. Gjatë marrjes në pyetje ajo ka deklaruar se është përgatitur nga organizata terroriste PKK/PYD/YPG si element i inteligjencës speciale dhe se në vend ka hyrë nga rajoni sirian Afrin nëpërmjet rrugëve ilegale për të kryer aktin”, thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratën theksohet se “Ajo ndër të tjera ka deklaruar se për aktin në Istanbul ka marrë urdhër nga qendra e organizatës terroriste PKK/PYD/YPG në Kobani të Sirisë dhe se pas kryerjes së sulmit me bombë më 13 nëntor rreth orës 16:20 sipas kohës lokale ajo është larguar. Punimet e filluara lidhur me ngjarjen vazhdojnë me shumë drejtime”.

Drejtoria e Policisë thekson se në kuadër të punimeve fizike dhe teknike janë ndërmarrë operacione në 21 adresa që janë përcaktuar se kanë pasur kontakt me personin në fjalë.

Ndërkohë bëhet e ditur se në polici vazhdojnë procedurat për terroristen.