Mos-vaksinimi i mësimdhënësve rrezikon vitin e ri shkollor?
Ministria e Arsimit nuk ka përgjigje konkrete rreth vaksinimit ose rivaksinimit të atyre mësuesve që kanë refuzuar të marrin dozën e vaksinës në procesin e vaksinimit të stafeve shkollore. Po ashtu, nga kjo ministri, nuk përmendin as ndonjë mekanizëm apo fushatë ndërgjegjësimi ndaj këtyre mësuesve, të cilët, në shtatorin e ardhshëm mund të gjunjëzojnë procesin normal me pjesëmarrje fizike në vitin e ri shkollor. Pavarësisht pyetjes konkrete të dërguar nga ALSAT, ministria preferoi të përgjigjej në mënyrë të përgjithësuar.
“A mund të ndikojë mosvaksinimi i punonjësve arsimor në fillimin e vitit të ri shkollorë me prani fizike? Cfarë mekanizmash ka ministria që t’i inkurajojë mësuesit dhe punonjësit arsimorë të vaksinohen?
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës .. në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë vazhdon të paraqesë listat dhe të dhënat për grupet e punonjësve arsimor. Mënyra e realizimit të mësimdhënies varet nga udhëzimet që marrim edhe nga institucionet dhe organet kompetente shëndetësore, kryesisht nga Komisioni për mbrojtjen nga sëmundjet infektive”.
Përgjigje jo të qartë marrim edhe nga Sindikata për Arsim e cila kërkon vaksinimin e patjetërsueshëm të punonjësve arsimor.
Ata që për arsye të ndryshme nuk dëshirojnë, atëherë rreziku mbetet te ata. A mund të themi se mund t’u kërcënohet vendi i punës nëse nuk duan të vaksinohen vullnetarisht kur nuk kanë probleme të tjera shëndetësore? Nuk ka një normë të tillë ligjore, që t’i detyrojë të gjithë të vaksinohen. Në Maqedoni nuk ka një gjë të tillë, edhe pse ka shtete evrpopiane që kjo gjë është e detyrueshme, pa dallim a pranon a jo, përvec faktit që mund të zgedhësh me cilën vaksinë të vaksinohesh. Në Maqedoni nuk ka një obligim të tillë”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.
Nga inspektimi që ALSAT bëri në njërën prej shkollave të Cairit, mësuam se interesimi është i pjesshëm.
Prej numrit të përgjithshëm të të punësuarve në shkollën tonë, i cili është 90, arsimtarët që janë me prezencë fizike prej klasës së parë deri në klasën e tretë janë 27, prej tyre janë deklaruar dhe janë vaksinuar 15. Shumë me rëndësi ësthë të vaksinohen të gjithë të punësuarit që të mundet ti kthehemi jetës dhe punës normale në shkollë”, pohoi Luljeta Qerimi, drejtore e sh.f “Hasan Prishtina”.
Alsat pyeti edhe në ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale lidhur me interesimin për vaksinim edhe të punonjësve në cerdhe. Nga 2800 të paraqiturit e parë, vetëm 2100 e kanë marrë dozën e vaksinës. Ky refuzim lë të kuptojë se sistemi arsimor dhe ai parashkollor mund të mbajë peng nisjen me prani fizike të vitit të ri shkollor dhe mbi të gjitha, mund të pengojë edhe mbarë procesin e imunizimit të shoqërisë sonë, duke rrezikuar shuarjen e vatrave të infektimit dhe vetë praninë e Koronës në shtetin tonë.