Maqedoni

Pendarovski nënshkroi dekretet për shpalljen e ligjeve nga pakoja e pestë ekonomike

Presidenti Stevo Pendarovski ka nënshkruar dekretet për shpallje të ligjeve për pakon e pestë ekonomike.

“Sot Presidenti Pendarovski pa asnjë dilemë nënshkroi dekretet për shpalljen e ligjeve që do të mundësojnë mijëra qytetarë tanë të marrin pagë për muajin shkurt dhe mars të këtij viti”, thuhet në letrën e Zyrës së Presidentit.

Lidhur me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e punës së sotme të Kuvendit, nga Kabineti i Presidentit thonë se i pari i shtetit nuk ka autoritetin ta shqyrtojë këtë çështje dhe se për të njëjtën përgjegjës është kryetari i Kuvendit, ndërsa pas miratimit të ligjeve edhe Gjykata Kushtetuese.

“Qytetarët tanë treguan më së miri se çfarë mendojnë për dinjitetin e presidentit në zgjedhjet e para dy viteve. Përveç kësaj, qytetarët tanë e dinë që Presidenti Pendarovski gjithmonë ka pasur qëndrim mbi çështjet më të rëndësishme dhe problemet me të cilat përballet vendi”, thuhet në kumtesën e Zyrës së Presidentit.

Pas publikimit të ligjeve nga pakoja e pestë ekonomike në Gazetën Zyrtare, punëdhënësit do të jenë në gjendje të aplikojnë për masat deri më 30 prill. Për shkak të vonesave, më shumë se 16 mijë qytetarë nuk kanë marrë ende pagën e muajit shkurt. Ndihma është planifikuar të përdoret nga 60 mijë punëdhënës për të paguar pagat e rreth 120 mijë punonjësve.