Në Bujanoc u promovua libri poetik “Më jep një ëndërr” i poetes Sadije Aliti
Shaban Sinani
Në shkollën e mesme “SezaiSurroi” në Bujanoc u promovua vëllimi më i ri poetik “Më jep një ëndërr” dhe portreti letrar i poetes Sadije Aliti në kuadër të tetorit, muaji i librit, në një ambient të bukur e të ngrohtë me një mikë pritje të veçantë e bujare. Në praninë e nxënësve, profesorëve e mësimdhënësve të kësaj shkolle u shpalos krijimtaria letrare e poetes tetovare. Poezi nga opusi letrar i poetes lexuan nxënësit e kësaj shkolle në kuadër të grupit letrar “Hasan Mustafa” të përzgjedhur nga profesorët e gjuhës shqipe.
Për krijimtarinë letrare recensione e vlerësime prezentuan Behare Neziri, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum nga Tetova, profesori universitar EjupAjdini, shkrimtarët nga Bujanoci Sevdail Hyseni dhe Nehat Ramizi.
Fjalë mirëseardhje e faleminderimi paraqiti edhe drejtori i shkollës Zejni Fejzullahu, i cili foli edhe për historikun e kësaj shkolle të mesme me një traditë gjysmë shekullore dhe i autores i dorëzoi një libër monogrfai të shkollës.
“Poezitë të cilat janë të ngërthyera në inde mes figurative, për të cilat shpesh herë as edhe poetesha, nuk është e vetëdijshme për madhështinë e poezisë, ngase, herë-herë poezia diku-diku na shfaqet si një art i hollë dhe enigmatik, që shkon përtej dëshirës dhe synimit, na shfaqet si një art i distilimit të pavetëdijshëm të ndjenjës dhe të mendimit të poetes e cila shkon përtej asaj, që na e falin ndjenjat, që vetë ajo ka dashur t’i shprehë, duke mos e kuptuar se me vargjet e saja e sfidon ndjenjën e krijimit të poezisë”-theksoi mes tjerash Behare Neziri, recensente.
Ejup Ajdini, redaktor i librit theksoi:” Autorja vargun poetik e përdor si krahët e dallëndyshes dhe e shpërthen në zbrazëtirën e jetës, trondit muret e heshtura dhe kur e ndjen vlimin e shpirtit në damarët jetës, ajo drejtohet drejt pallatit të ëndrrave dhe ulet në kolltukun e saj meditues prej mbretëreshe”.
Sevdail Hyseni, mësimdhënës dhe krijues nga Bujanoci shtoi:”Poetesha i zgjedh me sens edhe titujt e librave dhe nëpërmjet tyre përcjell edhe një mesazh ku e detekton një botë të pasur shpirtërore nga fusha e Pollogut, nga malet legjendare të Sharrit e i sjell përmes vargjeve poetike edhe te ne”.
Për veprat e poetes diskutoi edhe poeti Nehat Ramizi. Pasoi një diskutim i lirë mes auditoriumit dhe shkrimtares.
Autorja faleminderoi me dashamirësi për organizimin dhe ceremoninë promovuese të portretit letrar. “E zgjodha këtë pjesë të gjeografisë shqiptare, e zgjodha Bujanocin, për të nisur ecurinë e promovimeve të librit të botuar së fundmi “Më jep një ëndërr”, sepse krijuesi e artisti duhet të jetë në mes lexuesish çdo kund. Ne jemi te ndarë mes shtetesh por nuk mund të na ndajnë në art, kulturë, e traditë, nuk mund të na ndajnë në shpirt e zemër, aty jemi të bashkuar e të pa ndarë. Dhe këto bashkëpunime flasin në këtë gjuhë”.
Ajo theksoi se komunikimi me lexuesin është i rëndësishëm pasi dëgjuesi apo lexuesi i vargut e ndjen një copëz jete në atë që e frymon krijuesi ashtu siç ndjehesh në njëambient që të jep mundësinë e komunikimit me publikun dhe artdashësit.
Drjetori i shkollës Zejni Fejzullahu shtroi një drekë në shenjë faleminderimi, pasoi edhe një vizitë nëpër qytet.