Datë e rëndësishme për Dibrën dhe dibranët, u promovua libri kushtuar veprimtarit Osman Cami (Video)
Në një festë të vërtetë për Dibrën dhe dibranët u shnderrua promovimi i librit me titull “Komiteti Epruer i NDSH-së në Dibër dhe Osman Cami” në autorësi të historianit Qerim Lita.
Salla në pllatin e Kulturës, ku u bë promovimi, ishte përplot me intelektualë dhe atdhedashës nga Dibra dhe qytete tjera të Maqedonisë, por edhe me mysafirë nga Shqipëria e Kosova, që e bënë edhe më madhështor këtë promovim.
Libri sjell fakte të reja historike jo vetëm për veprën e Osman Camit, por edhe veprimtarinë e NDSH-së në këtë anë në përgjithësi.
Monografia “Komiteti Epruer i NDSh-së në Dibër dhe Osman Cami” e studiuesit Dr. Qerim Lita, është rezultat i punës hulumtuese disavjeçare të autorit për Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare në përgjithësi dhe Komitetin Epror të saj dhe Osman Camin në veçanti. Materiali që ofron autori përbën një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për historinë e shqiptarëve të Trevave Lindore, por për gjithë historinë tonë kombëtare të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore.
Ose, siç vlerësoi profesori universitar Fehari Ramadani, gjatë promovimit, “vepra e dr. Qerim Litës “Komiteti Epruer i NDSH-së në Dibër dhe Osman Cami”, është e një rëndësie të veçantë, sidomos për faktin se ai jep një pasqyrë të plotë të zhvillimit dhe të veprimtarisë së organizatës deri në fund të ekzistencës së saj. Figura të shquara atdhetare, si Osman Cami, Qeram Zllatku, Medat Tërshana dhe shumë dibranë të tjerë u bënë pjesë e rëndësishme e kësaj organizate, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe bashkimin me Shqipërinë”.
“Në veprën e tij, autori sjell të dhëna me mjaft interes për veprimtarinë e NDSH-së dhe shtrirjen e saj në territoret shqiptare në Maqedoni. Në Kongresin II (IV) të NDSH-së, i cili i zhvilloi punimet më 1 qershor 1946 në Shkup, u miratua Skema e organizatës, e cila përveç Komitetit Qendror me seli në Shkup, parashihte themelimin edhe të komiteteve eprore, ato të rretheve dhe komitetet vendore, përkatësisht nënkomitetet. Nën varësi të komiteteve eprore ishin komitetet e rretheve dhe ato vendore, ndërsa organ më i lartë i saj ishte Komiteti Qendror. Deri në korrik të vitit 1946, qenë themeluar gjithsej shtatë komitete të tilla, si në: Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gjilan, Ferizaj, Prishtinë dhe sigurisht në njërën nga qendrat më të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë historisë, në Dibër.
Komiteti Epror i NDSH-së në Dibër, u themelua menjëherë pas Kongresit të II (IV), përkatësisht diku rreth datës 10-12 qershor të vitit 1946. Në varësi të këtij komiteti ishin komitetet e rretheve të Gostivarit, Kërçovës dhe të Strugës. Përveç kësaj ky komitet kishte për detyrë të mbante lidhje të përhershme me organizatat simotra që vepronin brenda kufijve të Shqipërisë politike, përkatësisht në krahinat e Dibrës së Vogël, të Lumës, të Matit etj.”, theksoi Ramadani.
LIBRI KUSHTUAR OSMAN CANIT, LITERATURË E RËNDËSISHME PËR STUDIUESIT E HISTORISË SHQIPTARE PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Ndryshe ky libër i dr. Qerim Litës do të shërbej si literaturë e nevojshme për të gjithë ata që do të merren me historinë shqiptare të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore.
Aty potencohet se Komitetit të Dibrës i ishte dhënë një rrëndësi e veçantë, pasi ai mbulonte një pjesë të madhe të territoreve shqiptare jo vetëm në Trojet Lindore, por edhe brenda Shqipërisë politike.
Sipas autorit, Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, veprimtarinë e saj politike dhe organizative në Dibër të Madhe e kishte shtrirë që në pranverën e vitit 1945, në ballë të së cilës qëndronin personalitete të shquara intelektuale, ushtarake dhe atdhetare shqiptare si: Edip Tërshana, Qeram Zllatku, Osman Cami, Remzi Papraniku, Esad Mezexhiu, Xhevat Pustina, Sadulla Kërluku, Medat Cami, Ukë Cami, Munir Disha, Medat Tërshana etj. Lidhja e tyre me udhëheqjen qendrore në Shkup realizohej nëpërmjet Mahmut Dumanit, i cili krahas Azem Maranës dhe Hasan Bilallit përbënte shtyllën kryesore të organizatës.
“Në bazë të hulumtimeve të tij për Organizatën e NDSH-së, studiuesi dr. Qerim Lita konkludon se udhëheqja politike e kësaj organizate, krahas Shkupit, rëndësi të madhe i kishte kushtuar përhapjes së organizatës edhe në Dibër të Madhe. Kjo për ta ishte tepër e rëndësishme kur dihej se për rreth katër vite me radhë (prill 1941- shtator 1944) ky qytet përbënte qendrën kryesore të trevave lindore shqiptare (që patën fatin t’i bashkohen shtetit shqiptar) jo vetëm administrative, por edhe politike, arsimore, kulturore, ekonomike dhe ushtarake. Një numër i madh i arsimtarëve dhe të nëpunësve shqiptarë të vendosur asaj kohe në këto vise, ishin me prejardhje nga Dibra e Madhe, e të cilët dhanë një kontribut të madh në ngritjen e vetëdijes kombëtare te popullsia vendore shqiptare. Pikërisht, kjo strukturë atdhetare, e pakënaqur me ripushtimin e tokave shqiptare nga njësitë komuniste jugosllave, u përfshi në aktivitete ilegale, me qëllim të vetëm çlirimin e territoreve të pushtuara dhe bashkimin e tyre me shtetin amë.
Se sa e rëndësishme ishte për ONDSH-në paria dibrane, mjafton të përmendim vetëm një fakt. Në procesin gjyqësor të zhvilluar kundër drejtuesve të KQ të ONDSH-së, i cili u zhvillua nga 26 janari deri më 7 shkurt 1947 në Shkup, nga gjithsej 19 të akuzuar 5 prej tyre vinin nga Dibra, si: Mahmut Dumani, Osman Cami, Qeram Zllatku, Medat Tërshana dhe Gani Abdullau. Kjo është dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar peshën që kishte ky komitet brenda organizatës. Megjithëse secili nga anëtarët kishte peshën e tij, sipas autorit Osman Cami përbënte shtyllën kryesore të Komitetit Epruer në Dibër, i cili gjithashtu ishte edhe anëtar i Komitetit Qendror të organizatës”, sqaroi profesori Fehari Ramadani, duke folur mbi veprën në fjalë.
VEPRA ËSHTË NDARË NË SHTATË KAPITUJ
Monografinë “Komiteti Epruer i NDSh-së në Dibër dhe Osman Cami”, autori krahas parathënies, hyrjes e ka ndarë në shtatë kapituj, të cilët mbyllen me bibliografinë.
Në kapitullin e parë përshkruan jetën dhe veprimtaria e Osman Camit. Në të dytin hedh dritë mbi themelimin e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Shkup, e cila erdhi si rrjedhojë e rrethanave politike-ushtarake në trevat lindore shqiptare, gjatë muajve shtator-nëntor 1944. Në vazhdim, përshkruhet aktiviteti politik i misioneve ushtarake anglo-amerikane në Shqipëri, lidhja e tyre me guerilen shqiptare që vepronte në krahinat veriore shqiptare: Lumë, Dibër, Shkodër etj., jehona e NDSH-së në po ato krahina, në mënyrë të veçantë në qytetin e Dibrës etj.
Në kapitullin e tretë autori trajton veprimtarinë politike dhe organizative të udhëheqjes së NDSH-së në harkun kohor prill-korrik 1946. Vend të rëndësishëm zë veprimtaria e Halim Oranës; ardhja e tij në Shkup, vizita në Dibër të Madhe dhe takimin që ka zhvilluar me Qeram Zllatkun dhe Osman Camin. Gjithashtu, rëndësi i kushtohet Kongresit II (IV) të NDSH-së, për pjesëmarrjen aktive të Osman Camit dhe Qeram Zllatkut në atë kongres, për takimet e tyre me krerët udhëheqës të Shkupit: Halim Orana, Azem Marana, Hysni Rudi dhe Qemal Skënderi, për direktivat e marra nga ata rreth themelimit të Komitetit Epruer në Dibër dhe Komitetit të rrethit në Strugë, për lidhjet e tyre me çetat e armatosura që asaj kohe vepronin në ato krahina etj.
Në kapitullin e katërt trajtohet formimi i Komitetit Epruer të NDSH-së në Dibër dhe zgjedhja e Dr. Qeram Zllatkut kryetar të atij komiteti. Gjithashtu rëndësi i kushtohet edhe themelimit të Komitetit të NDSH-së për rrethin e Strugës, nga ana e Osman Camit, pastaj flitet për zgjerimin e organizatës, kyçjen e anëtarëve të rinj në radhët e saj, për lidhjen e NDSH-së me çetën e Shemë Hatipit, Murat Labënishtit etj.
Kapitulli i pestë trajton periudhën kur shërbimet sekrete jugosllave dhe shqiptarëve ranë në gjurmët e organizatës, ndërsa kapitulli i gjashtë trajton zhvillimin e procesit të hetuesisë kundër katër veprimtarëve të NDSH-së së Dibrës: Osman Camit, Qeram Zllatkut, Medat Tërshanës dhe të Esad Mezexhiut. Në kapitullin e fundit jepen stenogramet të dala nga procesi gjyqësor kundër Osman Camit, Qeram Zllatkut, Medat Tërshanës dhe Gani Abdullahut, si dhe vendimi i Gjyqit të Qarkut të Shkupit, i sjell më 9 shkurt të vitit 1947, kundër 19 veprimtarëve të KQ të NDSH-së.
Në fund të monografisë, në formë të shtojcës janë dhënë disa dokumente të cilat hedhin dritë mbi aktivitetet ilegale të NDSH-së në Dibër. Përveç kësaj, po në formë të shtojcës, janë dhënë dy materiale origjinale të hartuara nga Osman Cami, gjatë viteve gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar: Epopeja e Skënderbeut dhe një faksimil të një drame.
Për hartimin e kësaj monografie autori përveç materialeve arkivore, të cilat zënë vendin kryesor, ka shfrytëzuar edhe literaturë shkencore si dhe intervista.
Shfrytëzimi i dokumenteve arkivore, e bëjnë këtë vepër të rezistueshme ndaj çdo kritike shkencore. Me këtë monografi, autori, pasi hulumtoi, analizoi, vlerësoi dhe sistematizoi gjithë ato dokumente e materiale të botuara, arriti të nxjerr në dritë një mori të dhënash me mjaft interes për këtë organizatë dhe personalitete të tilla si: Osman Cami, Qeram Zllatku, Medat Tërshana etj., të cilat deri në botimin e monografisë ishin fare pak të njohura ose dhe të panjohura, jo vetëm për opinionin e gjerë, por, edhe për qarqet përkatëse shkencore.
“Studiuesi dr. Qerim Lita, e ka shtjelluar deri në detajet më të imta, gjithë veprimtarinë e Komitetit Epror të NDSH-së në Dibër dhe të Osman Camit, si njëri nga drejtuesit më të rëndësishëm të saj. Me një stil shumë të kuptueshëm dhe të rrjedhshëm autori pasqyron gjithë veprimtarinë e Komitetit dhe kontributin e këtij personaliteti kombëtar. Mënyra e strukturimit dhe e hartimit të veprës në fjalë, stili i përshtatshëm dhe gjuha e pastër që përdor autori, rrisin edhe më tepër vlerat e saj”, do të theksojë Ramadani.
LITA: BASHKIMI I TROJEVE ETNIKE E BASHKON EDHE DIBRËN
Autori i librit, dr. Qerim Lita, në fjalën e tij promovuese, ka folur mbi rrethanat historike dhe aktuale që kanë sjellë deri te ndarja e Dibrës.
“Me vendosjen e kufijve administrativ, Dibra nga një qendër e rëndësishme shqiptare është shndërruar në një pjesë periferike”, tha Lita.
Njëjtë si profesori Ramadani edhe Lita theksoi se sa e rëndësishme ishte për ONDSH-në paria dibrane, flet fakti se në procesin gjyqësor të zhvilluar kundër drejtuesve të KQ të ONDSH-së, i cili u zhvillua nga 26 janari deri më 7 shkurt 1947 në Shkup, nga gjithsej 19 të akuzuar 5 prej tyre vinin nga Dibra, si: Mahmut Dumani, Osman Cami, Qeram Zllatku, Medat Tërshana dhe Gani Abdullau. Kjo është dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar peshën që kishte ky komitet brenda organizatës. Megjithëse secili nga anëtarët kishte peshën e tij, sipas autorit Osman Cami përbënte shtyllën kryesore të Komitetit Epruer në Dibër, i cili gjithashtu ishte edhe anëtar i Komitetit Qendror të organizatës.
“Me bashkimin e trojeve etnike, që patjetër do të ndodhë, do të bashkohet edhe Dibra dhe kjo pjesë e shqiptarisë do të marë vendin e merituar në reafshin kombëtar”, konstatoi autori Qerim Lita.
FJALIM EMOCIONAL I TË BIRIT TË OSMAN CAMIT: KËTË ËNDËRR E KAM QË NGA MOSHA 16 VJEÇARE!
Fjalimi më emocional në promovim ishte fjalimi i të birit të Osman Canit, Fanol Cami. Edhe pse mbi 40 vite jeton në Çikago të Amerikës, ai nuk ka harruar qëllimin që ia ka vënë vetes në moshë 16 vjeçare, që një ditë para gjithë opinionit shqiptar të nxjerrë në dritë veprimtarinë e babait tij të ndjerë. Këtë ëndërr e ka realizuar pasi ka rënë në kontakt me historianin Qerim Lita, prej të cilit ka kërkuar të hulumtojë dokumente arkivore lidhur me jetën dhe veprën e babait të tij të ndjerë, që sot të përmledhura në një libër voluminoz panë dritën e botimit dhe promovimit.
“Babai im vdiq kur isha vetëm 12 vjeçar. Isha i vogël. Por në moshë 16 vjeçare e pyeta nënën time: nënë, a më tregon kush ishte babai? Cila ishte vepra e tij që kaq shumë po respektohet në Dibër? Nëna mu përgjigj qetë: Do të vijë dita biri im që për veprën e babait tënd do të flasë historia. Jam shum i emocionuar, por edhe krenar që e prita këtë ditë. Ju falemnderit të gjithëve që u bëtë pjesë e kësaj ngjarje aq të rëndësishme për mua dhe familjen time. U kam borxh për tërë jetën”, tha mes tjerash në fjalimin e tij përplot emocione Fanol Cami, i biri i Osman Camit.
Për jetën dhe kontributin historik të Osman Camit, folën edhe shumë bashkë kohas të tij, duke evokuar kujtime për një veprimtar që jetën ia kushtoi atdheut.
Në promovimin e librit morën pjesë edhe ish generali i UÇK Kombëtare, Gëzim Ostreni, ministri i diasporës Xhemaili Çupi, i përndjekuri politik në “Aferën e Armëve” të vitit 1993, Eugjen Cami, profesoresha Gjyla Çeliku, pinjollë të familjes Cami nga Amerika, Britania, Maqedonia dhe vende tjera perëndimore, si dhe shumë intelektualë të njohur dibranë.
Videon e plotë nga kjo ngjarje mund ta përcillni në vijim: