Ministri i jashtëm serb nga Ohri: Maqedonasit janë populli ynë vëlla
“Me hapjen e Konsullatës sonë në Ohër tregojmë respekt për gjuhën dhe kulturën maqedonase dhe për popullin vëlla maqedonas”, tha sot në Ohër ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq.
Sipas tij, nuk ka kulturë pa gjuhë dhe se populli maqedonas duhet të respektohet.
“Vitin e kaluar Maqedonia shënoi 100 vjetorin e lindjes së Blazhe Koneskit në shenjë respekti për atë jubile të madh, domethënës për popullin vëllazëror maqedonas. Në shenjë respekti për miqtë e mi – nikoqirë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, gra dhe burra nga Ohri, dje fola në gjuhën maqedonase dhe e di sa bukur është kur dikush vjen për t’ju vizituar nga një vend tjetër dhe tregon respekt në atë mënyrë. Por me këtë tregoj se respektoj jo vetëm nikoqirët, por edhe gjuhën maqedonase dhe kulturën maqedonase, të cilën ajo gjuhë e lindi. Në këtë kuptim, edhe si Republika e Serbisë, edhe si serb që ka shumë miq, kumbarë, bashkëpunëtorë me origjinë nga Maqedonia, të cilët janë maqedonas, jam krenar për miqësinë tonë. Në fakt, duke e vlerësuar dhe respektuar kulturën, erdha këtu jo vetëm për të hapur Konsullatën tonë, por edhe për të treguar respekt për nikoqirët e mi”, tha Selakoviq në pyetjen e një gazetari pas hapjes së Konsullatës në Ohër, ku bashkë me të ishin zëvendëskryeministrja Slavica Grkovska dhe Ministrat e Drejtësisë dhe të Kulturës Nikola Tupanceski dhe Bisera Kostadinovska Stojçevska.
Siç theksoi Selakoviq, si shef i diplomacisë serbe, detyra e tij është të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me fqinjët bazuar në udhëzimet e politikës së jashtme të Beogradit, presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë. (INA)