Biznesmenët” në Maqedoni ende kërkojnë punëtorë të mirë, por mundësisht me rrogë 150 euro
Përfundimi i takimit mes sektorit të biznesit, organizatave joqeveritare dhe përfaqësuesve të rinisë në vend ishte se ekonomisë i mungon kuadri i kualifikuar, ndërsa të rinjtë kanë kërkesa dhe pritshmëri të larta, megjithëse nuk kanë përvojën që i duhet kompanive.
“Kërkojnë orar fleksibël pune, të gjithë kërkojnë kushte për punë online dhe kërkesat e tyre për paga janë shumë të larta”, thotë Metodia Stojçevski Lidhja e Rinisë Krushevë.
Sipas Despina Zhupan – Lidhja e Odave Ekonomike, të rinjtë kanë pritshmëri shumë më të larta sesa kompanitë mund t’u ofrojnë në fillim.
“Arsimi i tyre, si një person që ka mbaruar fakultet dhe vjen menjëherë në vendin e punës, nuk është gati të bëjë punën menjëherë, ndaj kompanitë duhet t’i rikualifikojnë, në mënyrë që ai punëtorë të funksionojë”, tha Despina Zhupan – Lidhja e Odave Ekonomike.
Mirëpo rrëfimi i të rinjve është krejt ndryshe. Shumë prej tyre thanë për gazatarin e Almakos se në Maqedoni ende ka “biznesmenë” që kërkojnë punëtorë me rroga 150 ose 200 euro, pa pagesë të kontributeve.
“Këta biznesmenë në thojza janë shkaku që rinia po ikë jasht vendit”, shprehet njëri prej tyre.
Ndryshe, sipas rezultateve nga Regjistrimi 2021, në vendin tonë ka 109.249 të papunë të moshës 15 e më shumë. Prej tyre thuajse 80% janë me arsim fillor dhe të mesëm. Mbi 60% I takojnë gjinisë mashkullore.
Sipas rajoneve statistikore pjesa më e madhe e të papunëve me arsim fillor – 27% jetojnë në Rajonin e Pollogut. Sipas qyteteve thuajse 5.000 apo 16% jetojnë në Shkup, prej të cilëve mbi 1.500 në Çair, kurse mbi 2.000 të papunë me arsim fillor ka në Gostivar, Tetovë dhe Kumanovë.
Pjesa më e madhe e të papunëve me arsim të mesëm mbi 14.000 ose 26% jetojnë në Rajonin e Shkupit, mbi 9.000 ose 17% në atë të Pollogut dhe mbi 7.000 apo 14% në Rajonin Verilindor.
Sipas Regjistrimit 2021 të papunë janë 100 doktorë shkencash. 36 prej tyre janë të moshës 30 – 39 vjec. Më shumë se gjysma prej tyre – 52 janë nga Shkupi.
Regjistrohen si të papunë edhe 1.541 magjistra. Dy të tretat prej tyre janë të moshës 25 – 34 vjec.