Kongresi i Alternativës dhe 20 vjetori i BDI-së: Shqiptarët kanë parti që e kultivojnë moralin, por edhe parti që stimulojnë amoralin!
Shumica e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë qytetarë që ruajnë dhe kultivojnë gjuhën e tyre, historinë, kulturën por edhe vlerat kombëtare e fetare, ku fokusi është i vendosur te vlerat morale.
Mirëpo, analistët politikë me të drejtë konstatojnë se këto vlera ndonjëherë sfidohen nga struktura të ndryshme, qofshin politike, fetare, ose të natyrave të ndryshme.
Si shembull të tillë ata vlerësojnë koncertin e organizuar në 20 vjetorin e themelimit të BDI-së.
“Aty patëm një demonstrim pervers të amoralit të papranueshëm për shqiptarët e Maqedonisë dhe më vjen keq që kjo parti nuk gjet forcë të kërkojë falje. Ishte diçka shumë e pahijshme nga një subjekt politik që thirret në vlerat e UÇK-së. Asnjë ish ushtar i UÇK-së nuk lejon vajzat e veta të vishen ashtu siç u paraqitën këngëtaret në koncertin e BDI-së. Asnjë prej vajzave të dëshmorëve e invalidëve të UÇK-së nuk vishen ashtu. Ose të jem më konkret, askush prej funksionarëve të BDI-së nuk lejon vajzat, motrat ose gratë e veta të vishen në mënyrë të pahijshme siç u paraqit kengetarja Tayna para tetovarëve. Parashtrohet pyetja se pse rinisë shqiptare u shesin amoral që nuk e lejojnë as në familjet e tyre? Domethënë për intersa materiale personale te shqiptarët zbatojnë agjenda të huaja që shkatërrojnë moralin e rinisë sonë. Kjo është diçka që duhet trajtuar dhe kritikuar, paralelisht me harxhimet marramendëse që janë berë në kohën kur po përballemi me krizë të madhe ekonomike”, shkruan në Facebook analisti Halimi.
“Nëse te një popull e shkatërron moralin e rinisë, atëherë e ke shkatërruar atë popull”, thekson ai.
Sipas Halimit, një moment pozitiv paraqet fakti se jo të gjitha partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut kultivojnë amoralin.
“Më pëlqen qëndrimi i partisë Alternativa i përsëritur në kongresin e tyre. Sado që kam disa vërejtje lidhur me vendimin e tyre për tu bë pjesë e Qeverisë, ajo që e kam thënë më herët po e përsëris edhe tani se e çmoj qëndrimin e Alternativës për ruajtjen e vlerave dhe traditave tona familjare. Më vjen mirë se ky qëndrim i Alternativës ka reflektuar te shumica e partive tjera shqiptare, sado që sot ekziston mundësia që të keqkuptohet kjo. Por edhe përfaqësuesit e partive që nuk ndajnë këto qëndrime të Alternativës në programet e tyre partiake, kanë dëshirë që në familjet e tyre të kuktivohen ato vlera për të cilat angazhohet partia e Gashit dhe mund ta them se ky është një paradoks i llojit të vet”, shkruan Halimi.
Ndryshe kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi edhe në kongresin e fundit ku mori një mandat të ti, tha se partia e tij i mbetet besnike qëndrimeve djathtiste, respektivisht konservatore.
“Alternativa nuk do të ishte kjo që është nëse si parti e qendrës së djathtë, që beson në vlera konservatore, nuk do të angazhohej zëshëm edhe për tema tipike konservatore, siç është edhe familja. Ne besojmë se familja është një bashkësi mes një burri dhe një gruaje, që realizohet publikisht, dhe si e tillë regjistrohet.. Kjo nënkupton se secila trajtë tjetër që nuk ndërtohet mbi këto parime mund të jetë një bashkësi tjetër sociale, por nuk është familje. Në një botë ku liberalizmi gati se nuk është shpallë dogmë e shenjtë, të pretendosh për vlera konservatore shpesh merret si hendikep, por për ne nuk ka kuptim angazhimi publik dhe politik nëse nuk i shprehim zëshëm edhe bindjet tona rreth temave që sot e preokupojnë mbarë botën e qytetëruar”, theksoi Gashi në fjalimin e tij.
Në këtë temë ka folur edhe kryetarja e Forumit të Gruas, Safije Sadiki Shahini.
Të dashur të pranishëm në këtë kongres, ajo që dua ta vë në spikamë sot janë dy gjëra:
Së pari dua ta theksoj përkushtimin e Alternativës, pra të lidershipit të saj, që gruaja të jetë e pranishme në të gjitha nivelet dhe strukturat e partisë. Ndonëse nuk e kemi detyrim statutar, kryetari ynë ka kërkuar që në çdo strukturë të partisë, që nga nëndegët, së paku 30% të jenë gra. Meqë besoj se kjo nuk ndodhë gjithkund, unë dua ta falënderoj kryetarin për hapësirën që na e ka dhënë dhe dua t’ju them me mburrje se Alternativa është parti pa paragjykime gjinore. Ndonëse askush nuk na e ka zënë hapësirën as më parë, megjithatë me këtë përqindje të pjesëmarrjes, pas këtij kongresi, besoj thellë se Alternativa do të jetë partia me përqindjen më të lartë të grave në vendin tonë. Dhe, ky është një lajm i mirë jo vetëm për emancipimin politik të qytetarëve tanë, por një lajm i mirë edhe demokracinë e vendit tonë, si dhe një sfidë për partitë e tjera politike.
“Dua ta potencoj përkushtimin që ka pasur Alternativa jonë për familjen. Si parti konservatore e qendrës së djathtë, edhe kur partitë e tjera kanë heshtur, madje edhe organizatat që e kanë detyrim formal që ta mbrojnë familjen kanë bërë të shurdhrin, Alternativa – pa drojë dhe pa hezitim – ka dalë publikisht në mbrojtje të familjes tradicionale, duke besuar thellë në konceptin konservator për celulën amëz të shoqërisë. Kjo ka qenë arsyeja që më ka bindur se kur Alternativa e shkruan të zezën mbi të bardhë, se angazhohet për mbrojtjen e këtyre vlerave, kjo ndodhë njëmend dhe ne këtë e kemi dëshmuar në gjithë veprimin tonë politik”, është shprehur deputetja Shahini.
Veç tjerash, duke besuar në këtë vlerë, deputetja e Alternativës ka rikujtuar se edhe në marrëveshjen politike për t’u inkuadruar në qeveri e “kemi vënë një pikë për këtë temë dhe unë mund t’ju them me bindje të plotë se kjo ndodhë për herë të parë në skenën politike pluraliste te ne”.