“Ballkani i Hapur” si ahengu në dy salla, tek njëra këndon tezja, tek tjetra kërcen halla

Nga: Irena Beqiraj

Marrëveshjet brenda initiativës CEFTA shpesh bojkotohen nga Kosova. Edhe është një arsye e pastër politike e cila pengon nënshkimin e tyre edhe kur grupet apo sekretariatet teknike dakortësojnë.

Arsyeja është se Serbia nuk pranon që ato të nënshkruhen me “logon” e Kosovës, por me atë të UNMIK-ut. Serbia krijon debat te madh edhe nëse në email-e Kosovës i drejtohesh pa shenjën * , shenja shpjeguese që kjo e fundit përfaqëseohet nga UMNIK.

Marrëveshjet e nënshkruara deri tani në ‘Ballkanin e Hapur’, janë të gjitha brenda kuadrit të CEFTA’S por duke firmosur marrëveshje paralele, Serbi, Shqipëri, Maqedoni, Ballkani i Hapur zhvlerëson, ose nxjerr jashtë loje përpjekjen e Kosovës për ti nënshkruar ato marrëveshje, nën logon e shtetit te vet, apo për të qenë i barabartë mes të barabartëve, qoftë edhe duke përdorur rrugën e bojkotit të CEFTA-S.

Menjëherë lind pyetja, po nëse Kosova do të pranonte t’i bashkohej ‘Ballkanit të Hapur’, si do t’i nënshkruate marrëveshjet?

Me një marrëveshje midis Kosovës edhe Serbisë të nënshkruar në 2016 Serbia paskërka pranuar që marrëveshjet bilaterale që Kosova edhe Serbia do të kishte pas 2016, mund të firmosen nën logon e Kosovës.

Pra, Serbia kërkon ta pranojë Kosovën me raste, sipas deshirës se vet, sipas kushteve të saj, vetëm në iniciativa të filluara nga ajo, por jo në mënyrë multilaterale, në marrëveshje të pavarur siç janë marrëveshjet e CEFTA-s ku Kosova mund të ruajë pavarësinë e vet.

Pra ‘Ballkani i Hapur’ është një drejtëz paralele me CEFTA-n i cili padyshim i jetëson më shpejt marrëveshjet e CEFTA-s, por duke anashkaluar përpjekjet për pavarësinë e Kosovës.

A e mbështet Tirana zyrtare kështu çështjen e pavarësisë Kosovës?

Elementi i dytë është qartësia mbi thellësinë e integrimit që duam të arrijmë, me anë të ‘Ballkanit të Hapur’.

Ka katër faza të integrimit:

1. Zona e lirë tregtare edhe ekonomike (kemi dy dekada që jemi në këtë fazë, pasi gjithë vendet e rajonit kanë firmosur Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në rajon).

2. Bashkimi doganor (heqja tërsisht e kufinjve)

3. Tregu i përbashkët dhe

4. Bashkimi monetar.

Cilën nga këto faza synon ‘Ballkani i Hapur’?

Bashkimi doganor, i propozuar nga Sorros ne 2000 eshtë kërkuar nga Serbia në Tetor të vitit 2016. Në mars 2017, ishte prestigjiozja “Economist Inteligence Unit” që bëri një analizë ku tregonte se përse përfitimet ekonomike nga bashkimi doganor midis vendeve ballkanike ishin “një qiqër në hell” duke theksuar që bashkimi doganor i intereson më së shumti politikisht edhe pastaj ekonomikisht vetëm Serbisë.

Nëse nuk synohet Bashkimi Doganor, siç thonë mbështetësit e qeverisë, por thjesht zona e lirë ekonomike edhe tregtare, e cila tanimë mbulohet nga CEFTA duke u përforcuar pas 2014 edhe nga Procesi i Berlinit, ku BE shërben si ndërmjetësues edhe si financues cila është vlera shtesë e ‘Ballkanit të Hapur’?

Nuk kam gjetur akoma përgjigje për këto pyetje, në asnjë nga narrativat e mbështetësve të ‘Ballkanit të Hapur’. Por meqë kemi tash 5 vite që krahasojmë hapjen e negociatave me dasmën, mendoj që edhe integrimi rajonal ku kemi paralel dy procese që i mbivendosen njëri tjetrit i ngjan po një dasme, asaj të Malos:

Ballkani integrohet,

Aheng në dy salla,

Tek njëra këndon tezja,

Tek tjetra kërcen halla.