Maqedoni

Letër publike përkrahëse: “Alsat M”, aset i çmueshëm i gazetarisë së pavarur në Maqedoninë e Veriut!

Vendimi i çuditshëm gjyqësor ndaj televizionit “Alsat M”, me të cilin i kontestohet një pjesë e pronës, duhet të na shqetësojë të gjithë gazetarëve dhe mediumeve në Maqedoninë e Veriut.
Me çdo ditë të kaluar edhe në mesin e gazetarëve por edhe tek diplomatët që kam pasur rast t’i takoj, shtohen dyshimet se vendimi gjyqësor është i motivuar politikisht, për të goditur pavarësinë e këtij televizioni që është aset i çmueshëm i gazetarisë së pavarur në Maqedoninë e Veriut.

Nëse realizohet procedura e përmbarimit të pronës së këtij televizioni, që sipas mendimit tim është në kundërshtim me ligjin dhe buron si pasojë e një defekti institucional, asnjë medium në Maqedoninë e Veriut nuk do të jetë i sigurtë në të ardhmen, se “defekte” të tilla nuk do të shpifen edhe ndaj tyre në momentin kur informimi ynë nuk do t’i pëlqej dikujt në pushtet.
Unë personalisht dhe Almakos përkrahim fuqishëm padinë e TV Alsat ndaj shtetit, respektivisht ndaj Ministrisë së Financave.
Ftoj shoqatat e gazetarëve dhe gjitha mediumet e pavarura në vend të ngrejmë bashkërisht zërin për të penguar ndikimin negativ të politikës ndaj mediumeve.
Ne nuk guxojmë të bëhemi pjesë e neglizhencës që po tregojnë institucionet për të parandaluar një sulm ndaj medias së lirë dhe një investitori vendas.

Pa mediume të pavarura nuk mund të kemi shoqëri të shëndoshë demokratike.

Me konsideratë,
Semi Mehmeti