Maqedoni

Ligji “E diela ditë jopune” po mbyll bizneset, Ohri dhe Struga duan të punojnë dhe të dielave

“Struga është një qytet i varur nga stina e verës, konkretisht, sezoni veror, kështu që e diela, ditë jopune, do ta rrezikojë seriozisht dhe do të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik lokal dhe më gjerë. Presim një vizitë të ministrit të Ekonomisë dhe të bisedojmë së bashku për të gjetur një zgjidhje që do t’i plotësojë nevojat e qytetarëve të Strugës”, thonë nga Komuna e Strugës.

Bashkia shton se sektori i turizmit, gastronomisë, baret dhe shitësit duhet të punojnë të dielën gjatë sezonit të ardhshëm turistik dhe të presin që qeveria të gjejë një zgjidhje të pranueshme.

Tregtarët e Ohrit kanë reaguar më herët për humbjet e mëdha që pësojnë për shkak të Ligjit të ri të dielën, ditë jopune me të cilën duhet të mbyllin bizneset e tyre në kohën kur ka më shumë turistë.

Të pakënaqur me ndalimin e punës të dielave, thonë se janë në prag të mbijetesës, pasi qyteti si qendër turistike xhiron më të madhe e bën gjatë fundjavave dhe festave.

“Ohri si qendër turistike, Çarshia e Ohrit dhe Esnafi i Ohrit pësojnë dëme të mëdha. Me këtë ligj jemi vënë në kosh me të gjitha qytetet e tjera, edhe pse Ohri ka një specifikë, nuk punohet gjatë gjithë vitit, por vetëm në fundjavë, në fundjavë të zgjatur dhe në sezonin turistik veror”, tha Maja Bakalova nga Shoqata tregtare “Esnafi i Çarshisë”, në Ohër.

Tregtarët në Ohër thonë se një pjesë e të punësuarve u detyruan ta shkurtojnë orarin e punës, ndaj po kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të problemit që t’i mbajnë punëtorët që kanë vite që punojnë për ta.

“Të paktën, nuk duam t’i largojmë nga puna punonjësit me të cilët punojmë prej vitesh, u bë vështirë të gjesh punëtor të mirë, por, për fat të keq, qarkullimi ka rënë aq shumë sa mezi mund të mbijetojmë”, tha Bakalova.

Më shumë se 4 muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit të dielën, ditë jopune, Çarshia e Ohrit ka mbetur bosh. Tregtarët vazhdimisht kanë kërkuar nga shteti dhe komuna që t’i dëgjojnë kërkesat e tyre dhe të përjashtojnë Ohrin nga ligji që shkatërron turizmin në qytet.

Ata thonë se imazhi i lënë para turistëve, tashmë të paktë që vijnë për fundjavë, me vitrinat e errëta dhe dyqanet e mbyllura në pazar është i papranueshëm.

Tregtarët e Ohrit morën përkrahje nga Komuna, Shoqata e Guidave Turistike, Shoqata e Hotelierëve dhe Oda Rajonale e Zejtarisë.