Maqedoni

Sela: Na duhen zgjedhje të reja për ta larguar këtë qeveri të pa aftë

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, vlerëson se dalja nga kriza është e mundur vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan gazeta LAJM.

“Kur krizat janë të shumta, kur kemi qeveri e cila nuk ka aftësi se si t’i menaxhoj dhe në vend që t’i menaxhoj çdo ditë del një krizë tjetër shtesë, natyrisht gjëja e parë që duhet të ndodhë është që kjo qeveri të largohet dhe të krijohet një shumicë e re e cila pastaj vendin do ta dërgoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vetëm në këtë formë do të nis që kriza gradualisht të gjejë zgjidhje”, deklaroi Sela të shtunën para fillimit të mbledhjes së Kuvendit Qendror të mbajtur në Shkup.

Zgjedhje të reja ka kërkuar edhe lideri i VMRO-së, Hristijan Mickovski. Ai përmes një konference për media, e ftoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski në një takim të përbashkët, për të dakorduar datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.Ai tha se, ky do të ishte vendimi më i mirë për “gjendjen katastrofike në të cilën ndodhet vendi”.

Shefi i opozitës maqedonase i dha afat Kovaçevskit deri më 10 maj për të realizuar takimin, në të kundërtën paralajmëroi se “do të pasojnë veprime serioze që nuk janë ndërmarrë deri tani”.