Shqipëri

Jep dorëheqje Lulzim Basha, triumfon Berisha

Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike. Basha tha se do të vazhdojë të jetë pjesë e PD-së, i angazhuar për të ardhmen e partisë. “Kjo nuk është një tërheqje, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë”, tha Basha. Vendimi i Bashës vjen pas rezultatit në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku PD doli e treta në 5 nga 6 bashki.

Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, disa nga personalitetet më të rëndësishme të PD-së që e përkrahnin Bashën si Grida Duma, Ervin Salianji, Agron Gjekmarkaj dhe Enkelejd Alibeaj kërkuan dorëheqjen e tij.

Partia Demokratike u nda në dy “pole”, ku një pjesë mbështesnin Berishën e një pjesë Bashën. Por rezultati i zgjedhjeve të 6 marsit e luhati mbështetjen ndaj Bashës.